Monika Kryemadhi tha nga ambientet e jashtme të Gjykatës së Posaçme se ajo ka deklaruar të gjitha të ardhurat e saj. Madje shtoi se xhaketën që kishte veshur sot ishte Michael Kors dhe se e kishte të deklaruar. Ajo tha se nuk iu trembet akuzave të Prokurorisë së Posaçme, pasi si ajo dhe prindërit e saj nuk kanë asgjë për të fshehur, pasi kanë deklaruar të ardhurat e fituara.
“Ndiqni paranë. Unë paranë ndoqa ngaqë shkova tek ata. Me lekët e mia i kam blerë. Mos i kam blerë me lekët e Edi Ramës apo të SPAK. Unë nuk e kam fustanin si Ajola Xoxa që e ka Dolce & Gabbana dhe thotë ma ka qepur gjyshja. Unë i kam të deklaruara. Kam lindur në Tiranë në 1974. Nuk kam ardhur në Tiranë. Kam mbaruar universitetin e Tiranës, kam mbaruar master doktoraturë, të gjitha dhe me forcat e mia. Nëse ka një gjë, po të kisha para për të fshehur nuk përdorja karta krediti, por para cash. Edhe këtë xhaketën Michael Kors e kam, me lekët e mia e kam ble, mos e kam ble gjë me lekët e Ramës, tuat apo të SPAK. Unë i kam deklaruar të gjitha, s’kam frikë për të deklaruar paratë e prindërve që i kanë të deklaruara dhe të fituara”, tha Monika.