
Dyshime për tendera korruptiv me armët e policisë, Emiljano Dusha , Begator Mane dhe Vesel Demiraj pjesë e skemës
Tenderët për armët e ushtrisë dhe policisë merren kryesisht nga një grusht kompanish,numri i të cilave në rastin më të mirë shkon në tre.
Zakonisht, siç ka raportuar më herët Korrieri fituese të këtyre tenderëve për armë dhe municione janë shpallur Marsi & Al e Petrit Kasapit dhe MSSC e Emiljano Dushës, të cilët kanë mundur të “shqyejnë” dyert e ministrive përmes lidhjeve të ngushta me Rilindjen.

Por, ndonjëhere duhet edhe ndonjë “xhol”, kur bëhet fjalë për shuma të vogla dhe kësaj radhe kështu kanë shërbyer RO.GAT Security e Begator Manes dhe ASA “ARMS SCHOOL ACADEMY” (Pelikan Security), e Vesel Demirajt.

Me herët, Korrieri raportoi se si Emiljano Dusha mori tenderin 1.7 milion euro për pistoletat e policisë përmes një kontrate kuadër, ku Demiraj shërbeu si “xhol” për të dhënë idenë e garës, ndërkohë që ky i fundit ka bërë të njëjtin shërbim edhe për RO.GAT Security edhe sa i përket fishekëve të pistoletave.

Të dy tenderët janë ndarë mes Begator Manes dhe Emiljano Dushës, ku i pari ka marrë 1.1 milion euro, kurse i dyti 1.7 milion euro me ndihmën e Demirajt, i cili ka hyrë “kot” në tender për të krijuar idenë e garës në një kohë kur SPAK po heton thellësisht tenderët e armëve dhe dhënien e pronave të ushtrisë.
Kështu, RO.GAT Security ka marrë tenderin 1.1 milion euro të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë për fishekët e pistoletave që do t’ua sjellë Emiljano Dusha.
Skema është e qartë, njëherë e merr tenderin Dusha dhe herën tjetër Begator Mane, ndërkohë që logjika e tenderit është që subjektet të garojnë me njeri-tjetrin duke ofruar çmimin më të mirë me një kualitet malli apo shërbimi sa më të lartë.
Kjo është një skemë e përdorur edhe më herët në tenderët e armëve të ushtrisë nga të njëjtët operatorë, përfshi edhe Petrit Kasapin. /Korrieri
Emiljano Dusha Begator Mane Vesel Demiraj