Mëngjesin e sotëm, një anije e rojes bregdetare italiane ka mbërritur në portin e Shëngjinit për të transferuar 12 emigrantët nga kampi në Gjadër drejt Italisë. Emigrantët do të transportohen me autobus nën masa të forta sigurie, një proces i ngjashëm me atë që ndodhi disa ditë më parë kur u zhvendosën nga porti në qendrën e Gjadrit.
Ky transferim vjen pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Romës, e cila ka urdhëruar që këta emigrantë, të cilët vijnë nga Egjipti dhe Bangladeshi, të transferohen në Itali për të pritur më tej procedurat e azilit. Ky vendim bazohet në një rregullore të përditësuar të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila, në një vendim të dhënë më 4 tetor, ka përcaktuar kufizime të rrepta për riatdhesimin e emigrantëve në vendet e tyre të origjinës, sidomos kur ato vende konsiderohen të pasigurta.