Rritja e përdorimit të substancave narkotike mes të rinjve është kthyer në një fenomen shqetësues në vendin tonë.
Psikologia Irsa Ruçi dha alarmin për rritjen e numrit të adoleshentëve që përdorin lëndë narkotike.
“Sa herë që mbaron mësimi, më ka rastisur që të shikoj në cep pallate të vjetër ulen grupe fëmijësh dhe pinë hashash, që ndoshta prindi nuk arrin ta dallojë”, tha ajo në A2.
Një tjetër problem në rritje është edhe shëndeti mendor i të rinjve. Sipas psikiatres Sonila Tomorri, një në 6 fëmijë vuan nga probleme të shëndetit mendor. Sipas saj sëmundjet mendore janë theksuar të kenë prirje gjenetike dhe ndikohen nga faktorë ambientalë si tensioni familjar apo bullizmi në shkollë.
“Një në 6 fëmijë deri 19 vjeç vuan nga probleme të shëndetit mendor, duke përfshirë këtu shqetësime të humorit dhe të sjelljes. Kjo është në të gjithë botën. Edhe pas covid është parë rritje e prevalencës”, tha psikiatrja Tomorri.
Për psikologen Ruçi fenomenet sociale, siç është bullizmi, janë faktorë të përhapur që ndihmojnë në përkeqësimin e këtyre problemeve.
“Bullizmi, që ndoshta nuk diskutohet mjaftueshëm, ndikon dukshëm në shëndetin mendor të të rinjve duke i çuar ata në gjendje vetmie dhe izolimi. Stresi, ankthi dhe frika nga ndëshkimi social janë shqetësime të zakonshme që shumë të rinj përballen në këtë fazë kritike të jetës”, tha ajo në A2.
Sipas tyre lajm i mirë është që gjithnjë e më shumë adoleshentë po kërkojnë ndihmë për këto probleme. Të rinjtë janë duke ndërgjegjësuar veten mbi rëndësinë e shëndetit mendor dhe kanë filluar të drejtohen tek prindërit apo profesionistët e shëndetit mendor për ndihmë.
“Kjo tendencë shpresëdhënëse tregon se stigma e kërkimit të ndihmës po prishet dhe po krijohet një kulturë mirëkuptimi dhe mbështetje ndërmjet të rinjve e komunitetit të gjerë”.
Ajo thekson se është domosdoshmëri që institucionet dhe komunitetet të bashkëpunojnë për të edukuar të rinjtë mbi pasojat e përdorimit të substancave dhe për të promovuar mirëqenien mendore. Investimi në edukimin dhe mbështetjen e shëndetit mendor të adoleshentëve do të ketë një ndikim pozitiv në formësimin e një të ardhmeje të sigurt për brezat e ardhshëm.