Mbetjet toksike , Hatice Kurum , Lindita Kikino dhe Gjovana Sokolaj, tre gratë në qendër të skandalit KURUM
Industri të shumta në mbarë botën prodhojnë miliona tonë mbetje të rrezikshme, si kimikate, metale të rënda dhe mbetje radioaktive, të cilat nëse nuk trajtohen si duhet, paraqesin rrezik serioz për mjedisin dhe shëndetin e njeriut. Sa më të rrezikshme të jenë këto mbetje, aq më i lartë është edhe kostoja për trajtimin dhe neutralizimin e tyre.
Grupet e interesit, të joshura nga përfitimet, zgjedhin t’i transportojnë këto mbetje në vendet e botës së tretë, ku korrupsioni dhe varfëria shpesh neglizhojnë rreziqet afatgjata.
Në gusht 2024, Shqipëria u përfshi në një skandal ndërkombëtar për dyshimet mbi transportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës dhe Kinës. Organizata “Basel Action Netëork” alarmoi për eksportin e paligjshëm të mbetjeve, duke paralajmëruar se kjo mund të dëmtojë rëndë imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Skandali shpërtheu kur 100 kontejnerë mbetjesh të rrezikshme, të nisura nga Porti i Durrësit, u zhdukën në det, për t’u lokalizuar më vonë afër Cape Town, Afrikë e Jugut. Këto mbetje, të dyshuara si toksike, u eksportuan nga kompania shqiptare “Kurum International,” që operon në Elbasan, dhe u nisën me anijet e linjës “Maersk” me destinacion final Tajlandën.
Mbetjet ishin pluhur i furrave metalurgjike elektrike, një produkt mbetjesh i rrezikshëm që përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi, të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin.
Pasi organizata mjedisore amerikane “Basel Action Network” sinjalizoi për këtë rrezik, kontejnerët u bllokuan në Singapor dhe u vendos që të ktheheshin në Shqipëri. Prokuroria e Durrësit inicioi një hetim për kontrabandë mallrash të ndaluara, duke sekuestruar dokumentacionin e kompanisë “Kurum.”
Hetimet zbuluan se këto mbetje ishin deklaruar si oksid hekuri nga kompania e burimit “Kurum,” e cila kishte kontraktuar kompaninë kroate “GS Mineral DOO” për blerjen e tyre.
Ndërkohë, kompania “Sokolaj” sh.p.k., me pronare Gjovana Sokolajn e ortak Doni Sokolajn, me qendër në Durrës, ishte përfshirë si ndërmjetëse në këtë transaksion.
Ndërkohë, kompania “Kurum” mbylli dyert e saj në Elbasan, duke pezulluar aktivitetin dhe larguar 500 punonjës. Sipas kompanisë, pezullimi u bë për shkak të vështirësive ekonomike, ndonëse fitimet e saj ishin të larta gjatë viteve të fundit.
Vendimi erdhi pas zbulimit të skandalit se “Kurum” me pronare turken Hatice Melek Kürüm e administratore Lindita Kikinon me bashkëpunëtor Erdal Demir, përmes një kompanie tjetër ka eksportuar drejt Tajlandës rreth 800 ton mbetje që dyshohet se janë të rrezikshme.
Ngarkesat me origjinë nga Shqipëria, të cilat sipas mbikqyrësve të mbetjeve atje ishin deklaruar si përmbajtëse të pluhurit toksik nga furrat e çelikut, u nisën në korrik nga Italia drejt Tajlandës.
Ky pluhur përmban metale të rënda si zinku dhe plumbi, të cilat mund të depërtojnë në tokë kur hidhen, duke ndotur ujërat nëntokësore. Pluhuri toksik mund të shkaktojë irritime serioze të syve, lëkurës dhe mushkërive, madje edhe të rrisë rrezikun për kancer.
Rrjeti Basel Action raportonte se vendet përkatëse në itinerarin e transportit nuk ishin informuar për natyrën toksike të ngarkesës.
Skandali i mbetjeve toksike, llogaridhënia dhe qëndresa qytetare duhet të jenë të njëjta si për çështjen e armëve kimike! 215 kontejnerë me mbetje toksike të bllokuar në Kinë dhe Tajlandë do të kthehen në vendin e origjinës, Shqipëri. Ky skandal i përmasave të pashembullta pasqyroi se trafiku i mbetjeve toksike në Shqipëri kryhet përmes Portit të Durrësit.