Ish-deputeti i Partisë Socialiste Jurgis Çyrbja do të paraqitet sërish në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, tre ditë pasi ai u mor në pyetje për 5 orë dhe dorëzoi mandatin e tij.
Ai pritet të shkoj sot në SPAK rreth orës 10:00, ku do të njihet me akuzat e ngritura ndaj tij.
Ndërsa, dje Çyrbja tha se ai dorëzoi mandatin e tij si deputet, për arsye shëndetësore dhe se nuk ka probleme me drejtësinë.
“Kam nevojë për kohë. Do të kujdesem për shëndetin tim. Nuk kam asnjë shqetësim të natyrës ligjore. Dorëheqja nuk lidhet me thirrjen në SPAK. Ishte një vendim që e mora në vlerësim të situatës sime personale”, tha ai.
Por mësohet se Çyrbja u paraqit në SPAK pasi u kallëzua nga deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka se gjatë kohës kur ishte drejtor hipoteke shpërdroi detyrën e tij. Sipas denoncimit të Palokës, deputeti socialist firmosi brenda ditës dy certifikata për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar “mbivendosje prone”.
Po ashtu, Paloka pretendoi se javët e fundit të fushatës Çyrbja ka shpërndarë në Kadastrën e Durrësit çertifikata dhe legalizime, sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.
Tani vendin e Çyrbjas në Kuvend pritet ta marrë Erjon Meka. Çyrbja po mbyllte mandatin e dytë si deputet. Ai u zgjodh për herë të parë në vitin 2017. Në vitin 2021 ishte i treti më i votuari i qarkut Durrës mes 6583 vota.