Edhe pse tregu i mikrofinancës u përfshi nga i ashtuquajturi skandali MCA, viktima të të cilit ranë me qindra mijëra qytetarë shqiptarë, tregu i mikrofinancës nuk ndalet.
Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në gjysmën e parë të këtij viti, kreditë e dhëna nga institucionet financiare jo banka arritën në 600 milionë euro. Pjesa dërrmuese e tyre buron nga kompanitë e mikrokreditit.
Lulëzimi i tregut konfirmohet edhe nga vetë kompanitë e këtij sektori. Sipas një studimi të kryer nga Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës, në 12 muajt e fundit ka patur një rritje të ndjeshme të kërkesës në segmentin e kredisë konsumatore pranë këtyre institucioneve.
Sipas shoqatës, kjo kërkesë buron kryesisht nga personat që punojnë në informalitet, të cilët në shumicën e rasteve kanë edhe të ardhura më të ulëta.
Rreth 52% e të pyeturve në këtë studim kanë raportuar se punonin në ekonominë informale, që nënkupton se për shkak të mungesës së dokumentacionit të ardhurave ose të ardhurave të ulëta, shumica e pjesëmarrësve përballeshin me vështirësi për të marrë financim nga bankat.
Ky përjashtim nga sistemi bankar tradicional, ka shtyrë shumë qytetarë që të kërkonin borxh nga familja ose miqtë, apo të mbështeteshin në institucionet e mikrofinancës, ndërsa shumë pak përdornin burime alternative si overdrafti ose huatë informale.