Silvana Kalemi, nëna e Aleksandër Sadikaj dhe e motra e Shyqyri Kalemit ka dalë në një prononcim për mediat duke kërkuar vendosjen para drejtësisë të autorëve të dy ngjarjeve që i kanë shënjuar jetën. Nga Memaliaj, ajo tha se Policia e Shtetit e di kush janë autorët e dy vrasjeve, duke e thënë edhe me emër. Për të, vrasësi është Ledjon Alushaj, duke shtuar se ka pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë, por është ndalur me aq.
“Sot nuk do t’ju drejtohem si Silvana, mikja juaj, por si nëna e Aleksandër Sadikaj dhe motra e Shyqyri Kalemit. Arsyeja pse ne e lamë emigrimin ishte siguria dhe dashuria që kishim për vendlindjen, por në qytetin tonë, Memaliaj u goditëm nga një akt terror që la plagë të thella në zemrat e secilit prej nesh. Humbën jetën tre qytetarë të pafajshëm dhe të nderuar, Marsel Çela, Kledis Muka dhe vëllai im Shyqyri Kalemi. Jemi të pafuqishëm për të ndryshuar atë çka ndodhi, por kemi një shpresë të madhe tek drejtësisa e shtetit shqiptar, në mënyrë që instuticionet kompetente të vënë para përgjegjësisë autorët e këtij krimi të rëndë. Një akt terrorist që e kemi cilësuar me emra në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. E dinë! I këmi raportuar të gjitha, ku janë, nga janë dhe cilët janë. Unë i kam bërë publike dhe i bëj dhe tani, Ledion Alushaj me shoqërinë e tij, autori i vrasjes së djalit tim,”- tha ajo.
Ndërsa, nëna e Marsel Çelës që mbeti i vrarë nga atentati ndaj Shyqyri Kalemit, i bëri thirrje Policisë të arrestojë autorët e vrasjes. Me lot në sy, ajo tregoi se i biri sapo ishte kthyer nga Gjermania kur u ekzekutua.
“Jemi të shqetësuar dhe vetë të pasigurtë autorët që gjuajtën duhet të varen në mes të Memaliajt dhe të jepet mesazh për të tjerët që mos të vrasin njerëz të pafajshëm. Djali më erdhi nga Gjermania për tu vrarë në Memaliaj. Punonte aty dhe kishte ndërtuar jetën. Duam që autorët të gjenden dhe te varen në sy të njerëzve.”