Një skemë allaturka, Kurum International e skandalit të mbetjeve i dha kredi vetes, shmangu taksat dhe një falimentim i dyshimtë
Këto ditë pritet që në Portin e Durrësit të parkohen si peshqesh i kompanisë Kurum 100 kontenierë me lëndë toksike të kthyera nga Azia e largët pasi autoritetet zbuluan trafikun ndërkombëtar të mbetjeve.
Do të jetë në dorë të autoriteteve shqiptare nëse do t’i pranojnë apo jo këto mbetje të Metalurgjikut të Elbasanit, për të cilat kompania turke që ushtron aktivitetin e saj prej vitesh në Shqipëri dyshohet se mashtroi ndërkombëtarisht duke i deklaruar si oksid hekuri.
Skandali do të fusë në një kurs të ri përplasjeje kompaninë Kurum me shtetin shqiptar, pas arbitrazhit të fituar nga Shqipëria në lidhje me anulimin e koncesionit të konteinerëve në vitin 2017.
Përmasat e kësaj përplasjeje mbeten për t’u parë, nëse do të çojnë deri në dëbimin e kompanisë nga të gjithë sektorët ku ka shtrirë tentakulat në ekonominë shqiptare, apo shteti do të bëjë sërish një sy qorr e një vesh shurdh përballë këtij skandali.
Qysh prej nisjes së aktivitetin të saj në Shqipëri, kur Fatos Nano i dha kombinatin metalurgjik të Elbasanit, kompania turke ka pasur një marrëdhënie të ndërlikuar me shtetin shqiptar.
Ajo është gjetur në të paktën 3 raste në shkelje të kontratës koncesionare.
Kompania ose nuk ka kryer fare, ose ka kryer me vite vonesë investimet që i burojnë si detyrim nga kontrata e lidhur me shtetin shqiptar. Por, sa herë që kapej në shkelje nga autoritetet shtetërore, Kurum shantazhonte përmes ndërprerjes së punës dhe nxjerrjes në rrugë të qindra punonjësve, si në rastin e fundit, kur njoftoi pezullimin e kontratave për mbi 500 punëtorë.
Arsyetimi që u ka dhënë kompania nëpunësve të saj pas mbylljes së repartit të shkrirjes së çelikut dhe atij të petëzimit është kostoja e lartë e energjisë elektrike.
Por, më shumë se arsye që qëndron, është alibi për të vënë në punë mekanizmin e shantazhit ndaj shtetit shqiptar, pasi siç dihet Kurum zotëron në Shqipëri edhe katër hidrocentrale, që mbulojnë dhe tejkalojnë nevojat energjitike të uzinës.
Por, skandali më i madh që ka mbetur pa hetuar nga autoritetet shqiptare është falimenti i kompanisë në vitin 2016. Të gjitha veprimet ligjore dhe transaksionet aksionere që pasuan pasi Kurum depozitoi në gjykatë kërkesën për shpallje falimenti sugjerojnë se e gjitha ishte një skemë për të shmangur taksat.
Pse? Dyshimet lindin fillimisht nga bilancet financiare vjetore që vetë kompania ka dorëzuar te autoritetet shqiptare. Në 2013-n, sipas bilanceve të depozituara nga Kurum, kompania ka pasur një fitim prej 20 milionë eurosh, ndërsa në 2014-të, deklaron fitim dhjetë herë më pak, rreth 2 milionë euro.
Manovra ngre dyshime se falimenti, bashkë me bilancet shoqëruese mund të ketë qenë i rremë, sepse pak para se Kurum të shpallte falimentin në Shqipëri hyn në tregun e mbledhjes dhe përpunimit të hekurit dhe çelikut, kompania serbe, Novometal përmes degës së saj në vendin tonë, Albametal.
Sipas ekstraktit historik të depozituar në QKB, Albametal është themeluar në 1 tetor 2014 me zyra qendrore dhe aktivitet kryesor në Elbasan. Pronari i kompanisë mëmë të saj të saj, sipas regjistrit të pronarëve përfitues, rezulton shtetasi turk, Cagatay Uraz, një i afërm i Hasmet Bedii Kurum dhe familjes së tij që zotëron kompaninë në Shqipëri.
Dyshimet për një skemë të mirëfilltë për të shmangur taksat shtohen nga fakti se Cagatay Uraz pranon që t’i japë hua 25 milionë euro Kurumit, edhe pse kjo e fundit kishte deklaruar falimentin. Pyetja që ngrihet dhe duhet hetuar nga autoritetet shqiptare është se kush është ai individ, apo cila është ajo kompani e institucion që financon me 25 milionë euro një kompani të falimentuar?
Përgjigja e kësaj pyetjeje mund të çojë në përgjigjen logjike se në të vërtetë Kurum nuk ka falimentuar asnjëherë, por shfrytëzoi mefshtësinë e institucioneve shqiptare, (ndoshta edhe duke korruptuar segmente të tëra të shtetit) për të shmangur miliona euro taksa, pasi sipas vendimit të gjykatës në lidhje me falimentin, Kurumit iu lejua të vazhdojë aktivitetin por deri sa të shlyejë të gjitha detyrimet që ka ndaj aktorëve të tretë, përfshirë këtu, Albametal.
SKEMA të ngjashme të gjoja falimentit të kompanive pasi i kanë zhvatur ato nga brenda dhe futur në borxhe janë aplikuar masivisht edhe në Turqi dhe duket se Asmet Kurum dhe shpura e tij po e aplikojnë edhe këtu.
Por, kjo mund të funksionojë vetëm nëse shteti shqiptar e lejon. /Gazeta Korrieri