Përmbytjet në Vlorë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe biznese. Banoret thanë se çdo gjë që kanë pasur në shtëpi ia ka marrë vërshima e ujit. Ato thanë se nuk kishin as mundësi të kërkonin për ndihmë për shkak të ndërprerjes elektrike. Njëra prej banoreve tha se telefonuan bashkinë, por askush nuk iu përgjgij. Ato thanë se situata u përkeqësua për shkak të mos pastrimit të kanaleve.
“Oriz, makarona, çfarë kisha, të tërë kanë ikur poshtë. Nuk do çfarë të them. Që andej, që këtej, nuk dihej nga vinte uji. Ka ndodhur edhe një vit, por jo kështu. Të bëjë televizori. Kërkuar ndihmë? Ku të kërkosh, internet nuk kishe, me laraskat, me ç’të kërkojë. Natën e kaluam jashtë. Kam fjetur në këtë shtëpinë time, aq sa ke fjetur ti. Ne jemi pensionistë, kam edhe një motër të sëmurë. Rroba nuk kemi. Kishim dy pako makarona aty, ikën. Gjithçka në pushtetin e ujit. Tërë natën pa gjumë, s’po e mbarojmë ujin akoma. Ku do kërkoje ndihmë, as drita, asgjë”, tha një nga banoret
“Është hera e dytë që përmbytemi, herën e parë na tha Bashkia do ju ndihmojmë, asgjë. Mospastrimi i kanaleve. Na kanë lënë pa bukë fare. Djali mbeti brenda, jemi ngritur gjithë fisi e pastruam. Tham se zuri shi si gjithmonë. Jemi mbytur brenda, notonte frigoriferi i mbushur plot mbi ujë. Të gjitha plaçkat, asgjë s’ka ngelur. Vetëm dy televizorë kanë shpëtuar. Kërkova ndihmë dhe radhën e parë, na erdhi komisioni me gjithë kryetarin, na dhanë ndonjë copë pulle që do na vlerësonin plaçkën. Kjo është plaçkë e dytë që ka ikur, s’na e dhanë shpërblimin”, tha banorja tjetër.
Një ditë më parë, situata në këtë qytet ishte alarmante për shkak të reshjeve të dendura të shiut, daljes jashtë kontrollit të kanalit të ujërave të larta dhe përmbytjeve në shumë lagje. Për shkak të prurjeve, 33 familje me 55 anëtarë u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në konfikt. Të tjerët kanë mbetur pa energji elektrike deri në largimin e ujit nga kabinat elektrike. Në Vlorë ka shkuar edhe Ushtria, e cila po punon puna në terren për pastrimin e kanaleve, të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve. Por edhe Ministria e Mbrojtjes, njëjtë si Bashkia, njofton se situata po shkon drejt përmirësimit.