Ilir Proda zgjidhet Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Lajmi u dha nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave ditën e sotme.
“Kandidati i cili sot u emërua sot do të jetë në krye të policisë dhe menjëherë do të hapim konkurimin për drejtuesit e policive në qarqe”, tha ministri Hoxha pas mbledhjes së qeverisë.
Proda fitoi në këtë garë krah Altin Menës,Ardian Cipës, Neritan Nallbatit dhe Skënder Hitës që u vlerësuan me më shumë pikë nga komisioni i posaçëm.
Karriera e Ilir Prodës:
Proda ka një karrierë 19-vjeçare në radhët e Policisë së Shtetit, duke mbajtur pozicione të ndryshme brenda strukturës.
Ai e ka nisur rrugëtimin e tij në uniformat blu në vitin 2005 fillimisht si specialist i policisë kriminale në komisariatin nr. 3, në Tiranë, ndërsa për shumë vite ka punuar dhe në drejtorinë e përgjithshme të policisë.
Në vitin 2013 ai mori për herë të parë detyrën e shefit të komisariatit, ku shërbeu në Bulqizë.
Në korrik të vitit 2019 ai mori gradën kryekomisar, dhe më pas u emërua zv. drejtor për hetimin e krimeve në Korçë.
Ndërsa në 2021 emërohet në po të njëjtën detyrë në policinë e Elbasanit.
Në mars të vitit 2023, pasi mori gradën drejtues, ai u emërua drejtor i policisë Elbasan, detyrë që e mban edhe aktualisht.
Proda ka diplomë avokati dhe master shkencor për të drejtë penale. Po ashtu ka marrë pjesë në kurse e seminare të ndryshme ku është pajisur me certifikatë.
Ndërkohë që emri i tij u lakua së fundi, teksa kishte dalë kandidimi i tij për kreun e policisë.
Me urdhër të SPAK, Prodës iu sekuestrua telefoni dhe u mor në pyetje, pas dyshimeve për konspirimin e operacionit për arrestimin e vëllezërve Hajdar dhe Florenc Çopja.