Kryeministri Edi Rama, në podcastin e kësaj të shtune, ku kishte të ftuar ‘doktorin e mrekullive’, neurokirurgun Kita Sallabanda, ka folur për reformën që sipas tij është bërë në sistemin shëndetësor në Shqipëri. Pas skandalit në onkologjik, i cili vijon edhe sot e kësaj dite, ku pacientëve iu mungojnë ilaçet për kimioterapinë, Rama tha se janë marrë masat që mjekët të mos i sorrolasin qytetarët nga shteti në privat. Sipas Ramës, me ndryshimin e ligjit për mjekët, tashmë ata që duan të punojnë në sektorin privat, duhet të njoftojnë dhe të marrin aprovim, nga shefat e sektorëve në shtet. Kryeministri u shpreh gjatë fjalës së tij se “sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e rëndë e kodit të etikës”.
“Këtë lidhjen e publikut me privatin, thjesht tani edhe për shkak të mësimeve që nxorëm nga historitë e pagëlltitshme të Onkologjikut, e kemi që thjesht mjeku që punon në publik mund të punojë në privat, por duhet të njoftojë dhe të marrë aprovim. Nuk mund të jetë ‘hajt se po nisem’. Sjellja e pacientit sa andej këndej është thyerje e rëndë e kodit të etikës”, tha ai.
Kryeministri theksoi se ajo që ndodhi te Onkologjiku ishte shumë prekëse, ndërkohë që sipas tij ndërhyrja e qeverisë ka qenë e menjëhershme.
“Ishte një tregues që kemi akoma nevojë të përmirësojmë sistemin dhe mënyrën e angazhimit. Dihet, e ka thënë një veteran i famshëm i BBC, lajm nuk është kur kafshon qeni njeriun, por njeriu qenin. Në rastin konkret, lajmi nuk është që këta mjekë bëjnë 90 mijë ndërhyrje në vit, mirëpo kur të del një rast si ai, ose i Sanatoriumit, këto janë raste që godasin besimin te sistemi”, tha Rama.
Sipas tij, “spitalet në Shqipëri i shajnë ata që nuk i kanë parë në vitet e fundit, kanë kujtimet e së shkuarës”.
“Kam dëgjuar edhe të huaj që kanë ardhur këtu që thoshin nuk e besojmë dot që Shqipëria ka një spital si ai i Sëmundjeve të Brendshme. Nuk kërkohet llogari pse ndodh që del një derr, por llogaria duhet të sjellja ndaj problemit. Si reagon ndaj kësaj, aty bëhet dallimi, e justifikon apo e sheh në sy dhe thua ndjesë ky ishte një moment i keq dhe hajde e përmirësojmë”, u shpreh Rama.
Ndërkohë që neurokirurgu Sallabanda, vlerësoi ndërhyrjet që janë bërë së fundi në spitalet publike, ndërsa tha se është e nevojshme tashmë që të investohet më shumë në aparatura.