Gjykata e Apelir la në fuqi sot vendimin e Shkallës së Parë për dënimin me 1 vit burg për deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Deputeti u shpall fajtor për “kallëzim të rremë” për dosjen “Babale”. Por çfarë është kjo dosje dhe si u përfshi deputeti demokrat?
Dosja ‘Babale’
Në 14 maj të vitit 2018, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale.
Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti. Nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, ai që dëgjohet në audio është zëri i Agron Xhafajt, jo i Alizotit, i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti Ervin Salianji.
Po në vitin 2018 deputeti i PD-së doli në një deklaratë për mediat dhe publikoi një audio-përgjim. Salianji pretendonte se vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge. Sipas audio-përgjimit, vëllai i Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj komunikonte me një ish-trafikant, Albert Veliun, me pseudonimin Babalja. Në datë 6 mars të viti 2019 prokuroria mori të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji për dosjen ‘Babale’.
Në dosjen hetimore thuhet se Albert Veliu u akomodua në selinë e PD-së në janar të vitit 2018 dhe stimuloi bisedën me Fredi Alizotin. Intervista e Albert Veliut u regjistrua në një mjet përgjimi stilolpas, të cilin ia dorëzoi Ervin Salianjit. Më pas, ky i fundit doli në një deklaratë për mediat dhe denoncoi Agron Xhafajn për lidhje me trafikimin e drogës. Ndërkohë, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa la kampionin audio të zërit të tij në prokurori dhe u largua për t’u dorëzuar drejtësisë në Itali ku kishte për të vuajtur edhe 4 vite burg.
Fredi Alizoti pranoi para Prokurorëve se ishte zëri i tij ai në audiopërgjimin e bërë publik nga PD në muajin Maj të 2018. Por në një video tjetër të bërë publike nga Ervin Salianji, Fredi Alizonte pranonte se ishte shantazhuar dhe joshur me para nga drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.
Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte asokohe me shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvanit) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit.
Vendimi i Gjykatës në 2019
Më 18 dhjetor të 2019-ës, Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës dha vendimin për dosjen “Babale”. Fredi Alizoti u dënua me 2 vite burgim, ndërsa Ervin Salianji u dënua me një vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë. Gjithashtu u dënua me 3 vite e 6 muaj burg Albert Veliu. Salianji e kundërshtoi këtë vendim dhe e ankimoi në Gjykatën e Apelit.
Për më shumë se dy vite, dosja u zvarrit dhe pas mungesave të shumta të avokatëve, sot u dha vendimi përfundimtar. Ervin Salianji u dënua me një vit burg për kallëzim të rremë.