Mega operacioni i SPAK , miliona euro pastrim parash, arrestohen Arianit Maloku dhe Jurgen Kaçurri
SPAK ka zhvilluar një aksion në Manzë, ku në pranga kanë përfunduar 2 persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal, me aktivitet të shtrirë në disa vende të Europës. Disa orë pas nisjes së aksionit, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e përbashkët me Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zvicerane dhe polake. Pasditen e sotme, SPAK ka kontrolluar 21 banesa dhe kanë vendosur në pranga 2 persona, të identifikuar si Arjanit Maloku dhe Jurgen Kaçurri. Gjatë aksionit, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 mijë Euro, 6 mijë Paud, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sot më datë 25.09.2024, në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet italiane, zviceriane, polake, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka kryer një operacion të përbashkët në kuadër të hetimeve për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “Mashtrimi në investime në shuma të mëdha”.
Nga hetimi ka rezultuar ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal, i cili ushtronte aktivitetin kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike të llojit kokainë nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Italisë.
Ky grup kriminal e ushtronte aktivitetin kriminal në Itali, Shqipëri, Poloni dhe Zvicër. Të dyshuarit pastronin fitimet e tyre të paligjshme nëpërmjet një rrjeti të panumërt kompanish, të drejtuara nga një organizatë italo-kineze, e krijuar për këtë qëllim, e cila furnizonte fatura false për rreth 375 milionë Euro. Nga hetimi janë sekuestruar 360 kg lëndë narkotike të llojit kokainë, armë dhe sende të tjera me vlerë, të përllogaritura në vlerën prej 60 milion Euro cash. Sot, më datë 25.09.2024, në Republikën e Shqipërisë, janë kryer 21 kontrolle banesash dhe ambjente të tjera. Janë arrestuar në flagrancë dy pjesëtarë të grupit kriminal, shtetasit me iniciale J.K. dhe A.M. Gjithashtu janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 mijë Euro, 6 mijë Paud, 2 automjete, 1 armë, 4 ora të markës Rolex, 26 aparate celulare, dokumente, sende të tjera me vlerë, si dhe prova të tjera materiale.
Nga 61 persona që janë kërkuar të arrestohen nga prokuroria italiane, në pranga kanë përfunduar vetëm 21. Sipas mediave italiane, të arrestuarit ishin nga Shqipëria, Italia, Zvicra dhe Gjermania. Grupit iu sekuestruan edhe 60 milionë euro pasuri dhe 360 kilogramë drogë. Sipas mediave italiane, grupi i strukturuar kriminal e kishte bazën në Shqipëri dhe transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë. Droga hynte në Itali nëpërmjet Spanjës dhe Holandës./Korrieri