Kreu i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi ka pranuar se përllogaritjet e Censit 23 tregojnë rënie të numrit të popullsisë në Korçë dhe se qarku juglindor rrezikon të humbas një mandat në zgjedhjet parlamentare të 2025.
Drejtuesi politik i PS për qarkun e Korçës tha se nga 11 mandate që qarku i Korçës ka pasur deri në zgjedhjet e 2021, numri i ligjvënësve që mund të zgjedhë do të jetë 10.
“Ka mundësi që për shkak të rritjes së numrit të popullsisë në Tiranë, qarku i Korçës mund të ketë një mandat më pak, edhe pse Korça ishte më numrin më të pakët të largimit të popullsisë referuar Censusit. Synimi ynë do jetë i njëjtë, duam të ruajmë 6 mandate me dy deputetë diferencë nga PD, por duke patur parasysh potencial e ri që i ofrohet politikës me këtë kod të ri zgjedhor, që është votë e diasporës, objektivat mund të rriten, sepse kemi aq votues në diasporë sa në Shqipëri.
Një nga pikat e takimit në çdo bashki është dhe organizimi për votën e diasporës. Në rast se janë 10 deputetë do të ketë 3 mandate të mbyllura, në rast se janë 11 deputetë do të ketë 4 mandate të mbyllura”, tha Peleshi. Lidhur me proceset e mandateve të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka dhe deputetit Vullnet Sinaj, Peleshi tha: “Vendimi i gjykatës për deputeten Xhaçka është votuar në seancë, ka hyrë në proces mandati i deputetit Sinaj, do marrë kohën e vet, është duke u shqyrtuar. Do vazhdojë procesi deri sa të ketë një vendim të këshillit të mandateve”.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 2021-it një mandat i’u hoq qarkut të Dibrës për shkak të rënies së popullsisë dhe i’u shtua qarkut të Tiranës.