Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar në lidhje me planin për krijimin e “Shtetit Bektashi” brenda Tiranës. KMSH në një reagim në rrjetin social Facebook, shprehet se është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri dhe se në këtë kontekst shpreh shqetësimin për deklaratat publike ku flitet për “Islamin modern”, “Islamin shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës.
Ndër të tjera Komiteti Mysliman se nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit dhe sa i përket planit nuk është konsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë. KMSH thekson se do të ndjekë me vëmendje këtë çështje dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshme konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë.
Reagimi:
Nisur nga interesi i lartë i besimtarëve, mediave, dhe opinionit publik, lidhur me hapjen e diskutimit për themelimin e “Sovranitetit të Urdhërit Bektashi” në Tiranë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë deklarohet sa më poshtë vijon:
Komuniteti Myliman i Shqipërisë është përfaqësuesi i vetëm dhe zyrtar i fesë Islame në Shqipëri. Feja jonë ka tre komponentë themelorë mbi të cilët ushtron veprimtarinë e saj në Republikën e Shqipërisë për mbi një shekull, të cilat janë:
1-Kurani Famëlartë, fjala e Zotit të Gjithësisë,
2-Tradita Profetike,
-Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Në këtë kontekst, ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me deklaratat publike ku flitet për “Islam modern” apo “Islam shqiptar” apo edhe për shtet Islam brenda republikës tonë. Këto terma nuk kanë asnjë lidhje me Islamin si fe, e cila është fe universale dhe bazohet mbi Kuranin dhe Traditën Profetike dhe respekton kushtetutat e ligjet në çdo vend ku bën pjesë. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni nën obrellën e të cilit kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë të përfaqësuara të gjitha tarikatet derivate. Ky ka qenë edhe qëllimi i dijetarëve myslimanë të cilët kanë punuar për një Shqipëri të pavarur, laike dhe multi fetare. Komuniteti Mysliman është mazhoritar në Republikën e Shqipërisë dhe një ndër kontribuesit kryesor të dialogut e harmonisë fetare në vend. Ky komunitet nuk e ka cilësuar kurrë harmoninë e dialogun si “domain” të tijin, pasi kjo vlerë e jashtëzakonshme që ekziston në vendin tonë është kontribut i secilit dhe i të gjithëve bashkë.
Në këtë kuptim, vendi ynë nuk ndodhet përballë ndonjë rreziku të prishjes së harmonisë e dialogut, përkundrazi, nisma të tilla mund të jenë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit. Të gjitha fetë abrahamike në thelbin e tyre kanë si qëllim t’i shërbejnë Rrugës së Zotit dhe të japin kontributin e tyre në shoqëri, siç bëjnë prej mijëra vjetësh. Kjo nismë për të cilën jemi njohur përmes medias është e pakonsultuar me komunitetet fetare, të cilat për të tilla raste kanë ngritur edhe një institucion të veçantë, të lavdëruar nga të gjitha vendet Perëndimore, siç është Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë. Sa më lart sqaruam, ne sigurojmë besimtarët myslimanë në Republikën e Shqipërisë se do t’i përfaqësojmë ata dhe çdo besimtar të cilitdo tarikati, ashtu siç kemi bërë deri më sot, edhe në vijim. Ne do të vijojmë ta ndjekim me vëmendje këtë çëshjte dhe do të ndërmarrim hapat e nevojshme konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit tonë.
‘Vatikani’ brenda Tiranës/ Përfaqësuesit e bektashinjve në Turqi: Një shtet fetar nuk është i drejtë!
Plani i njoftuar nga kryeministri Edi Rama dhe kryegjyshi botëror bektashian, Edmond Brahimaj në mediat amerikane, për krijimin e “Shtetit Bektashi” brenda Tiranës, ka bërë që edhe Turqia të reagojë.
Mediat turke e kanë lidhur planin me vizitën e presidentit izraelit në Tiranë, duke hedhur dyshimet se Isack Herzog qëndron pas projektit. Sipas gazetës Sabah gjatë vizitës së tij të parë dhe historike në Tiranë, pak ditë më parë, presidenti izraelit Isaac Herzog është takuar veçanërisht dhe me Baba Mondin. Gazetari turk Melih Altınok shkruan se “djali i George Soros ka aktivitete intensive në Shqipëri nëpërmjet Fondacionit Shoqëria e Hapur. Vizita e fundit e Presidentit izraelit në Shqipëri nuk duhet anashkaluar.”
Reagimi i përfaqësuesve të bektashinjve në Turqi
Nga ana tjetër përfaqësuesit e organizatave bektashiane në Turqi, në deklaratat e tyre të publikuara në ‘Haber Global’ thonë se bektashizmi dhe “shteti fetar” janë koncepte të papajtueshme me njëri-tjetrin.
Presidenti i Federatës ‘Alevit’ të Turqisë, Zeynel Abedin Koç: Si alevi që jetojmë në Turqi, ne mbajmë qëndrimin tonë në favor të laicizmit. Bektashizmi është një sistem besimi me origjinë nga Turqia. Megjithatë, në Shqipëri jetojnë edhe rreth 115 mijë bektashinj. Dhe kjo përfaqëson 5% të popullsisë së Shqipërisë. Nuk e kuptoj fare pse ka nevojë për një gjendje të tillë. Bektashizmi i Turqisë është pjesë e tij apo është çështje shqiptare? Ne në asnjë mënyrë nuk e miratojmë një shtet të bazuar në besim.
Në kundërshtim me Abedin Koçin, ish-kryetari i Federatës ‘Alevi Bektashiane’ dhe shkrimtari Ali Bakiz beson se besimi bektashi nuk mund të krijojë një shtet fetar.
“Rruga e bektashinjve ka jetuar në këto troje prej shekujsh. Më vonë, me Perandorinë Osmane, u përhap në Ballkan, duke arritur deri në Hungari dhe Shqipëria është vendi më i rëndësishëm mes tyre. Filozofia bektashiane i konsideron 72 kombet si një, këshillon që të gjithë të jenë sovran në veprimet e tyre. Një shtet fetar nuk është i drejtë. Çdo shtet ka pushtet, ndërsa në besimin bektashi ka liri”, tha Ali Bakiz.
Ndërkohë presidenti aktual i Federatës ‘Alevi Bektashi’ në Turqi, Husein Güzelgül, i konsideron hapat e ndryshëm të ndërmarrë nga shtetet për të njohur besimin bektashi në mbarë botën në përgjithësi pozitive. Ai gjithashtu mbështet pikëpamjen se besimi i bektashinjve dhe shteti fetar nuk mund të shkojnë paralelisht.
“Ne nuk e konsiderojmë të drejtë një shtet të bazuar në fe. Nuk mund të ketë një gjë të tillë ku ka tolerancë, paqe dhe dashuri”, theksoi Güzelgül.
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për ‘The New York Times’ thotë se dëshiron t’u japë anëtarëve të Bektashinjve, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare. Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria. Kreu i qeverisë shprehet se në të ardhmen e afërt do të shpallë planet për entitetin, që do të quhet Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi. Në një reagim zyrtar, Selia Botërore e Bektashinjve shprehet se ky hap historik synon të njohë Urdhrin Bektashi si një shtet të pavarur, vetëqeverisë, i përkushtuar për të mbështetur traditën e tij shekullore të moderimit dhe përfshirjes shpirtërore. Selia Botërore e Bektashinjve shton gjithashtu se kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen dhe se nuk kërkojnë që të kenë ndikim apo pushtet politik. /Korrieri