TIRANË– Mesazhet që bossat e krimit të organizuar shkëmbenin me njëri-tjetrin dhe me “ushtarët” e tyre na kanë treguar tashmë një panoramë lidhur me mënyrën sesi funksionon bota e paligjshëmërisë.
Një shembull i ndarjes së pazarave ishte biseda mes Ervis Martinajt dhe Leonard Dukës, e cila u publikua nga Korrieri pak muaj më parë. Në ‘sqarimin’ e tyre flitej për disa pasuri të përbashkëta, mes tyre edhe për dy hotele me vlerë miliona euro në zonën e Rinasit dhe të ish-Bllokut.
“Hotel Zeus” në Rinas është një nga objektet për të cilat flitet. Sipas ‘Pamfletit’, “Hotel Zeus” në Rinas ose Vila Zeus është vendosur në emrin e Mirela Kurtit, për të cilën shkruajnë se është një person i besuar i Martinajt.
Por ky nuk është rasti i vetëm që paratë e jashtëligjshme përdoren për të bërë biznes.
Sipas të njëjtit burim, Ervis Martinaj dhe Leonard Duka kanë pasur së bashku edhe “Hotel Billionaire” në ish-Bllok.
Një tjetër personazh që gjithashtu ka investuar në prona rezulton edhe Durim Bami, i cili ka gjithashtu një hotel me vlerë miliona euro në Rinas, pa përjashtuar edhe disa lokale dhe restorante në Tiranë e në qytete të tjera të vendit.
Por sigurisht që nuk i kanë në emër të tyre. Si në rastin e “Hotel Zeus” edhe këto pasuri janë kamufluar duke i kaluar personave të tjerë në mënyrë që të mos gjurmohen nga agjensitë ligjzbatuese.
Mbetet për t’u parë nëse SPAK i ka identifikuar këto pasuri për të nisur më pas edhe procedurat e sekuestrimit. Por me kalimin e pronave tek persona të tjerë, puna për sekuestrimin e tyre është bërë e vështirë./zëri