Nisma e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti sovran Bektashi në Tiranë është analizuar edhe në mediat turke.
Në gazetën Sabah, Melih Altinok pyet: “A është shteti bektashi një projekt i Izraelit?”.
Është ky titulli i shkrimit të tij, i cili i është referuar një analisti për ta pyetur se ç’fshihet pas këtij shteti, shpallur menjëherë pas vizitës historike në Shqipëri të presidentit izraelit.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se do të krijojnë një formacion me emrin ‘Shteti Sovran i Bektashinjve’ në kryeqytetin Tiranë, që është pika kryesore e axhendës. Sipas një artikulli në New York Times, Kryeministri Rama dëshiron t’u ofrojë bektashinjve një enklavë si ajo e Vatikanit për të promovuar tolerancën fetare.
Të gjithë filluan të diskutojnë me habi këtë zhvillim, me Euronews që e quajti “aty ku alkooli do të jetë i lirë”, duke pyetur njëherësh se ‘Nga erdhi ky shtet bektashi?’.
Unë e pyeta Osman Atalay, një nga emrat më të njohur në këtë fushë, se çfarë ndikimesh do të kishte një iniciativë të tillë mbi Turqinë.
Përfundimet që nxora nga shpjegimet e detajuara të Atalay-t janë këto:
Shqipëria, me popullsinë e saj muslimane prej tre milionësh, në bregun e Adriatikut dhe fqinjësinë me Greqinë, është një vend strategjik që tërheq vëmendjen e të gjithëve.
Në vend ka afërsisht 5% popullsi bektashie, mbi të cilët Irani ka pasur disa aktivitete. Megjithatë, bektashinjtë janë më afër SHBA-së.
Ky projekt nuk është një çështje që zgjidhet nga sot për nesër. SHBA dhe Izraeli kanë 30 vjet që ushtrojnë aktivitete ndikimi në Ballkan.
Një djalë i George Soros ka aktivitete të shumta në Shqipëri përmes Fondacionit ‘Open Society’.
Vizita e presidentit të Izraelit në Shqipëri së fundmi nuk duhet injoruar. Herzog u takua gjithashtu me liderin e tarikatit bektashi në Shqipëri, Baba Mondi, i cili ka një histori të dyshimtë, si dhe me numrin dy të KMSH-së.
Në këtë rajon, me një histori 600-vjeçare, nuk duhet të nënvlerësohet ‘operacioni i rrethimit’ të Turqisë”.voxnews