TIRANË– Ishte viti 2006 kur vëllezërit Çopja, Hajdar dhe Franc Çopja, vihen re në “treg”! “Karrierën”, dy vëllezërit e nisën në Itali, ku shpërndanin doza të vogla kokainë. Me kalimin e viteve, potenciali i tyre ekonomik u rrit, duke i kthyer ndër eksponentët më të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve. Por bashkë me bashkëpunimin duket se ecin “dorë për dore” edhe mosmarrëveshjet. Kështu që Çopjat në 2018 morën vendimin për të nisur eliminimin e kundërshtarëve të tyre (nëpërmjet vrasjeve me pagesë) për të fituar kështu kontrollin total të tregut.
Kështu nisi dhe një sage që përgjaku qytetin e Elbasanit që në vitin 2018 pati nisjen dhe më nuk u ndal për disa vite. Deri në momentin që vrasjet e tyre u çmontuan nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, që paralelisht me përgjimet e zbardhura nga SKY ECC zbuluan kalvarin e vrasjeve mes grupeve kriminale në këtë qytet.
Si çdo herë, edhe vrasjet që skuqën Elbasanin ishin produkt “importi”!
Shkëndija e parë që i vuri përballë Çopjat me familjen Alibej, nisi në Mbretërinë e Bashkuar, pas humbjes së 50 kilogramëve kokainë nga Endrit Alibej që njihej ndryshe dhe si “Tarzani”. Droga ishte e dy vëllezërve Çopja dhe dyshonin se pas humbjes së sasisë fshihej Tarzani. Pasi ky i fundit nuk u përgjigj për 50 kilogramët e kokainës, që në treg mund të kapë vlerën e 35 milionë eurove, nisi përgatitja e atentatit ndaj tij.
Saga nisi me eliminimin e “Tarzanit” dhe të gjithë personave që ndodheshin më të në makinë! Më 29 dhjetor të vitit 2018, në Bradashesh u qëlluan për vdekje tre persona, mes tyre edhe Endrit Alibej. Përveç 34-vjeçarit, në këtë atentat humbën jetën edhe Arben Dylgjeri, daja i ‘Tarzanit’ dhe shtetasi turk Erdal Duranay. Të tre, sapo ishin kthyer nga Belgjika për të festuar ardhjen e vitit të Ri 2019, por nuk e arritën atë ditë. Vetëm tre ditë para festive të fundvitit, plumbat e kallshnikovit ranë mbi ta dhe në sy të grave e fëmijëve, ndërruan jetë, pa mundur as të shkonin në spital.
Nuk u ndalën me kaq!
Një vit më vonë, po në muajin dhjetor, në vitin 2019, u ekzekutua një tjetër ‘ushtar i ‘Tarzanit’. Këtë herë ishte djali i hallës së Endrit Alibejt, Andi Zylyfi që kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi. Edhe pse pa precedentë penalë, Zylyfi u vra në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin, teksa ndodhej në makinë me Ardit Uruçin, mikun e tij që fatmirësisht i shpëtoi këtij atentati.
Sapo kaluan shtatë muaj, erdhi një tjetër viktimë. Mesnatën e 1 korrikut, Klevi dhe Aldo Baho, vëllezër u qëlluan me breshëri plumbash dhe njëri prej tyre vdiq. Klevi mbeti i vrarë, ndërsa Aldo u plagos rëndë, por sot jeton. Më 9 prill të vitit 2019, dora e Çopjave del sërish në skenë. Këtë here ndodhi grabitja në Aeroportin e Rinasit, ku u morën plot 10 milion euro dhe në përplasje me Policinë mbeti i vrarë Admir Murataj. Në këtë grabitje, grupi i Çopjave mori pjesë me emrat e njohur tashmë për publikun siç janë Talo Çela, Dashnor Dumani, dy vëllezërit Çala dhe vëllezërit Haxhia. I paqartë mbetet roli i Admir Muratajt, se a ishte pjesë e skuadrës së Çopjave apo ishte në aleancë me ta.
Nuk do të vononte shumë dhe skuadra e ‘Tarzanit’, do të lëvizte. Vërtetë Endrit Alibej u vra, por la pas Erion Alibejn, të vëllain që ndodhet në pranga për organizimin e tre atentateve, tashmë me statusin bashkëpunëtor i drejtësisë. Alibej akuzohet se ka organizuar vrasjen e Emiljano Ramazanit, Regis Runajt dhe Bujar Çelës si përgjigje për dy vëllezërit Çopja që porositën ekzekutimin e të vëllait, Endrit Alibej. Regis Runaj, ishte mik i Ramazanit dhe kishte rënë në gjurmët e autorëve të vrasjes së tij, ndërsa Bujar Çela ishte vëllai i Talo Çelës. Por edhe pse pa asnjë lidhje me botën e krimit ata paguan për hesapet e pambyllura të familjarëve të tyre.
Vrasja e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës, ishte mënyra e Erion Alibejt për të marrë hak për vrasjen e vëllait të tij, Endritit, që ia morën jetën në sy të gruas dhe fëmijëve. Erion Alibej, kishte mësuar se Talo Çela dinte gjithçka rreth ekzekutorëve të Endrit Alibejt, por nuk ia kishte treguar. Kështu, duke vrarë Bujar Çelën, mori hak.
Historia ka pasur edhe viktima të tjera, të cilët kanë pasur një rol më “periferik” në përplasje mes 2 grupeve. Ndër ta përmendim Everest Cakën, Klevis Kapllanin, vëllezërit Haxhia në Durrës, e shmë të tjerë. Mëkati i tyre më i madh ka qenë se dinin shumë…
Kjo përplasje mes dy grupeve na solli edhe panoramë të re për agresivitetin e krimit. Më të sofistikuar, më të vështirë për t’u kapur! Por shumë më shumë i pamëshirshëm! I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani zbuloi se grupi kishte një metodë të re për të zhdukur gjurmët.
Tashmë, në Shqipëri mjetet e krimit nuk po digjeshin më. Përkundrazi, pasi përdoreshin në ngjarje kriminale, ato dërgoheshin në servise për t’u çmontuar totalisht. Pjesë të këtyre makinave mund të jenë tashmë kudo, duke i bërë të pakapshme. Nëse në raste të tjera, në makina janë gjetur gjurmë gishtash, ndonjë shenjë AND-je, apo dhe gjurmë gishatsh, kësaj herë ishte e pamundur.
Të gjitha këto detaje i ka dhënë sërish Dumani, duke “cituar” burimin më të sigurtë që mund të gjendet; të vëllanë, Dashnor Dumanin. Ndërsa Nuredin Dumani ishte i burgosur në Francë deri nga mesi i vitit 2020, një tjetër “Duman” kishte emër në Elbasan dhe jo vetëm. Dashnor Dumani rezulton i përfshirë në disa dhjetra ngjarje kriminale, përfshirë edhe grabitjen e Rinasit. Por edhe në këtë rast, “koka” që kishte bërë planin ishin sërish vëllezërit Çopja dhe njerëzit e tyre.
Një tjetër tipar i grupit ishte vendosmëria e tyre për të vrarë! Ishin të gatshëm të bënin gjithçka; madje dhe skenare që u përngjajnë atentateve terroriste që kemi mësuar t’i shohim vetëm në kinema. Një rast ishte kur kundërshtarët donin të hidhnin në erë Drejtorinë e Policisë së Elbasanit për të vrarë Erion Alibejn. Këtë plan, grupi ‘Çopja’ e ka komunikuar në SKY ECC me punonjësin e Policisë, Martin Musaj, madje ky i fundit i orienton. Tjetër rast që përshkruhet me detaje do të ishin dronët me eksploziv që futeshin dhe më pas do shpërtheheshin më pas në banesën e Alibejt. Dumani gjithashtu tregoi se për të vrarë Alibejn, Mikael Kamami kishte kërkuar që të hidhej në erë i gjithë pallati ku ai fshihej në Elbasan, gjë që mund të rezultonte në tragjedi për të gjithë banorët e tjerë.
E vetmja herë kur në Shqipëri ka ndodhur një ngjarje e tillë ishte në mesnatën e 31 tetorit 2001, në lagjen “Partizani” të Bajram Currit. Sipas mediave të kohës, objektivi i shpërthimit më eksploziv të fuqishëm, i llojit C4, ishte apartamenti ku banonte deputeti i PD-së Azgan Haklaj. Nga shpërthimi ndërroi jetë kushërira e tij, Shote Haklaj.
Një tjetër skenar ishte që t’i vinin flakën të gjithë pallatit dhe më pas, vrasësit e veshur si zjarrfikës, të ekzekutonin “Krymin”. Por është e rëndësishme që të theksohet se asnjë nga këto skenarë nuk u realizua, arsyet nuk dihen! Ndoshta ndërgjegjia se mund të lëndonin persona të tjerë të pafajshëm, ndoshta mungesa e logjistikës. Këtë mund ta thonë vetëm të përmendurit në dosje.
Paprekshmëria e vëllezërve Çopja vinte nga një sërë lidhjesh që ata kishin krijuar me efektivë të Policisë së Shtetit, por edhe personazhe të njohur të drejtësisë. Në dosje ka dhjetra biseda ku ata flasin për të paguar para për këmbimin e lirisë. Për shembull, për të hedhur në erë Komisariatin e Policisë, Mikael Kamami flet në SKY ECC me punonjësin e Policisë, Martin Musaj. Ky i fundit, nuk e ndalon, përkundrazi e informon se në godinë nuk kishte as kamera sigurie dhe nuk do të linin asnjë gjurmë. Agustin Çinari, një punonjës policie në Durrës është një tjetër emër që shfaqet në dosje. Veç ndihmës që Çinari i jepte Çopjas në kohë reale për të parë në sistemin TIMS, lëvizjet e Erjon Alibej, Arjan Spahiut dhe personat e tjerë, ai rezulton të jetë përfshirë dhe në tregtinë e kokainës në Itali.
“Të përfshirë” me grupin kishte edhe persona nga sistemi i drejtësisë. Ish-gjyqtarja e Elbasanit mjaft e përfolur Pajtime Fetahu është një nga njerëzit e Drejtësisë që akuzohet nga SPAK për korrupsion në shumën 11 mijë euro plus një monedhë flori që dyshohet se ka marrë nga Mikael Kamami dhe bashkëpunëtori i tij, Arzen Mama, djali i “Dine Çamit”. Vetë gjyqtarja Fetah, e cila thirrej me nofkën “Komshia”, nuk del në asnjë komunikim të drejtpërdrejtë me anëtarët e kësaj organizate, por SPAK thotë se ka evidentuar dy raste ku Pajtime Fetahu ka marë nga Mikael Kamami, nëpërmjet Arzen Mamës, shumën monetare prej 10 mijë euro, 1 mijë euro në rastin e dytë dhe një monedhë floriri në rastin e tretë, në shenjë dhurate për nder të lindjes së mbesës së saj, pasi Pajtimja ishte bërë gjyshe. E përfshirë ishte edhe motra e Regis Runaj, i vrarë nga grupi i Erjon Alibej. Me postin e saj si sekretare në Gjykatën e Elbasanit, ajo informonte Mikael Kamamin për urdhër-arreste dhe të tjera dokumente sekrete që vinin në gjykatë. Vetëm se kjo e fundit, ndryshe nga të gjithë të tjerët nuk kishte të njëjtin qëllim…pasurimin e saj. Ajo kërkonte hakmarrje për vrasjen e të vëllait dhe të vetmen mënyrë kishte gjetur bashkëpunimin me grupin. Të tjerët, kërkonin para! Që në një episod ofrohen edhe nga Talo Çela. I bindur se ajo që nuk bëhet me para, bëhet me më shumë para, Çela shprehet i hapur për të paguar që të mbyllë çështjen e hapur ndaj tij për grabitjen e Rinasit.
“Për ça i kemi lekët, apo për të fjetur poshtë jastikut?,”-thotë Çela në një bisedë në “Sky”.
Në të gjithë, thuasje 300 faqe të dosjes flitet për para…shumë PARA! Pasi eliminuan kundërshtarët, fitimet u shtuan por edhe u pastruan për t’u shumëfishuar!
Por si pastroheshin këto para që gjeneroheshin nga trafiku i lëndëve narkotike?
Mënyra kryesore e sjelljes së parave në Shqipërisë ishte ajo me zyrat e këmbimit valutor (Exchange). Paratë i dërgoheshin personave që kishin njohje me dy vëllezërit. Paratë janë investuar më pas në biznese të ndryshme duke u “tretur” në industrinë e ndërtimit në Tiranë, biznesin e shitjes dhe dhënies me qëra të makinave, në blerjen e apartamente, vilave luksoze në komplekse moderne si “Mandarine Drive” në Lundër të Tiranës, hotel “Domus”, lokale, e deri në investime në bizhuteri, makina luksoze duke blerë lingota floriri dhe ar.
Ndërkohë një shifër marramendëse financiare grupi e shpenzonte për të kryer vrasje me pagesë, blerjen e armëve moderne dhe një seri apartamentesh në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, me qëllim krijimin e tyre si baza vend-strehuese të anëtarëve që dilnin në kërkim, përfshirë këtu dhe Talo Çelën. Valixhet emetoheshin me një postcode dhe më pas priteshin në aeroporte ku më tej tërhiqeshin nga njerëz të organizatës, duke i shpërndarë më tej në linjat respektive sipas direktivave që jepte nga Dubai, Franc dhe Hajdar Çopja alias Bako.
Nga të gjithë këta persona që kanë marrë dhe “zhdukur” paratë janë zbuluar vetëm disa emra. Maklen Mici ishte truri financiar dhe pastronte milionat e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc Çopja dhe Hajdar Çopja (Bako), i njohur si Dari i Elbasanit.
Korrieri ka mësuar se ndaj Micit është firmosur urdhër arrest me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pasi janë siguruar të dhëna që ka trasferuar përmes exchange “B&M Construction” që ndodhet në afërsi të Bankës së Shqipërisë, miliona euro të klanit kriminal. Po ashtu, një nga personat që fsheh pasuritë e Çopjave, është Ruzhdije Çopja, e njohur si administratorja e lokalit “Living Bar- Elbasan”. Tjetër person i besuar është Renato Bodurri, i cili ka disa biznese të regjistruara në emrin e tij. Si “transportues” të këtyre parave brenda Shqipërisë janë identifikuar persona të tjerë. Mici, Rexhino Doçi, Arben Lamçja dhe Dorian Dyli, merrnin paratë nga pika valutore dhe i dërgonin aty ku ia kërkonin vëllezërit. Dhe nuk po flasim për mijëra, por për miliona euro.
Një pjesë e kësaj pasurie është sekuestruar, tjetra është kamufluar mirë, ndërkohë shumë pak ka në pranga! Franc Çopja ndodhet në burg në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja është arrestuar në Dubai. Franc Çopja është kapur në Dubai, por është ekstraduar drejt Belgjikës, vend që e kishte shpallur në kërkim për vrasjen e Arjan Spahiut, ngjarje e ndodhur në 27 nëntor 2020. Edhe Altin Ndoci është arrestuar! Në burg ndodhet edhe Erion Alibej, armiku i përbetuar i dy vëllezërve. Këta janë personat që ka identifikuar SPAK si pjesë e grupit kriminal që drejtohej nga Dubai. Shumë janë në pranga, më shumë janë shpallur në kërkim, e të tjerë nuk dihet se ku ndodhen.
Lista me emrat
1. Franc Çopja “Arrest në burg”
2. Hajdar Çopja “Arrest në burg”
3. Mikael Qosja “Arrest në burg”
4. Eljo Bitri “Arrest në burg”
5. Altin Kamami “Arrest në burg”
6. Arzen Çopja “Arrest në burg”
7. Arben Lamçja “Arrest në burg”
8. Armis Stafa “Arrest në Burg”
9. Ervis Daka “Arrest në burg”
10. Flobenc Meçja “Arrest në burg”
11. Xhimi Hoxha “Arrest në burg”
12. Rexhino Doçi “Arrest në burg”
13. Guri Biba “Arrest në Burg”
14. Klajdi Merkaj “Arrest në burg”
15. Klodian Sinameta “Detyrim paraqitje”
16. Leon Ramani “Detyrim Paraqitje”
17. Talo Çela “Arrest në burg”
18. Altin Ndoci “Arrest në burg”
19. Arzen Mama “Arrest në burg”
20. Dorian Dyli “Arrest në burg”
21. Renato Musaku “Arrest në Burg”
22. Maksim Koçi “Arrest në burg”
23. Dashnor Dumani “Arrest në burg”
24. Aldo Xhika “Arrest në burg”
25. Maklen Mici “Arrest në burg”
26. Bashkim Lika “Arrest në burg”
27. Leonardo Ramani “Arrest në burg”
28. Martin Musaj “Arrest në burg”
29. Agustin Çinari “Arrest në burg”
30. Matilda Hoxholli “Detyrim paraqitje”
31. Pajtime Fetahu “Arrest shtëpie”
32. Denada Toda “Arrest shtëpie”
Kështu, mbyllet edhe një tjetër dosje. Më shumë ngjarje të zbardhura, por pak përgjegjës të vendosur para drejtësisë. Zeri