Në një mjedis me korrupsion të përhapur, policia është një ndër institucionet më të ekspozuara dhe më të prekura nga ky fenomen.
Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme në këtë drejtim, korrupsioni policor në Shqipëri nuk ka shënuar ndonjë ulje të ndjeshme.
Mbrëmjen e djeshme Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës ka kërkuar masa sigurie për 22 punonjës të Policisë së Shtetit, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe vjedhje, pasi dyshohet se kanë vjedhur rreth 20 milionë lekë nga gjobat e vendosura për automjetet me targa të huaja.
Njëzet e dy policët e Rrugores u vendosën zyrtarisht nën akuzë për përvetësim të miliona lekëve nga gjobat.
Bëhej fjalë për efektivët e Seksionit për Sigurinë e Autostradave Milot-Morinë, të cilët kanë ndëshkuar me gjoba disa automjete të huaja për shkelje rrugore dhe siç e parashikon ligji, janë shlyer në vend nga shoferët, por policët nuk i kanë arkëtuar.
Pra, bëhet fjalë për 160 gjoba që u janë vendosur automjeteve me targa të huaja dhe paratë janë vjelur në vend nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
Mirëpo, pasi kanë marrë paratë e gjobave siç e parashikon ligji, këta efektivë nuk i kanë arkëtuar ato por i kanë mbajtur vetë.
Masa të vendosura nga agjentët verifikues të Njësisë së Sigurisë së Autostradave Milot-Morinë për periudhën 01.01.2023 deri në datë 31.12.2023.
Mësohet se gjobat kanë qenë të shumave 200 deri në 500 mijë lekë të vjetra që shkonin direkt në xhepat e policëve.
Një prej efektivëve kryesor i përfshirë në skemë ishte Gramoz Dafku, i cili në atë kohë ishte shef i seksionit të qarkullimit për Rrugën e Kombit.
Kjo vjedhje e hapur ka ndodhur në 2023, dhe dyshohet se ja zgjatur për rreth 9 muaj.
Skema si policët përvetësonin gjobat ndaj personave me targa të huaja
Mësohet se 22 efektivët e policisë gjobisnin shtetas të huaj që shkelnin rregullat e qarkullimit rrugor.
Gjobat ndaj tyre varionin nga 200 deri në 500 mijë lekë të vjetra dhe ata ndalonin kryesisht personat me targa të huaja.
Më pas ata i merrnin vetë paratë dhe nuk i dorëzonin tek financa. Policia nisi hetimet 9 muaj më parë pasi një shqiptar i Kosovës denoncoi për gjobën që ai kishte paguar.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thotë se duke keqpërdorur aksesin në sistemet dhe databazat e Policisë së Shtetit, punonjësit e policisë në terren, konstatonin shkeljen, administronin shumën monetare duke i dhënë drejtuesit të mjetit procesverbalin përkatës.
Në vijim nuk kryenin arkëtimet dhe nuk bënin pasqyrimet përkatëse në sistem, me qëllim përvetësimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare nga gjobat administrative, në shumën prej 2.200.000 lekë. /GazetaKorrieri