Skandali me mikrokreditë zbuloi se si u përfshinë bankat Raiffeisen , BKT , OTP etj., në mashtrimin e qytetarëve duke mbajtur peng mijëra llogari të bllokuara
Nuk ka asnjë urdhër, e as vendim për zhbllokimin e llogarive bankare të qytetarëve që mbahen “peng” nga kompanitë MCA dhe Final. Prokuroria e Tiranës në fakt ka nxjerrë një dokument që vetëm ‘amniston’ disa banka që kanë shkelur ligjin.
Dokumenti i firmosur nga prokurorja Suela Salavaçi, me titull “dërgim informacioni për lirimin e llogarive” nuk i detyron bankat të lirojnë llogaritë, por u tërheq vëmendjen atyre që të zbatojnë ligjin.
Cili është ligji?
Në udhëzimin e lëshuar nga Banka e Shqipërisë, detyrohen të gjithë institucionet e bankave të nivelit të dytë që zhbllokojnë automatikisht llogaritë e sekuestruara, në rast se përmbaruesit nuk u kthejnë atyre përgjigje brenda 10 ditësh. Përmbaruesit që janë evidentuar si problematikë nga Prokuroria janë: Fatos Alimadhi, Altin Vako, Rigels Bejko, Helidon Xhindi. Pra, në të gjithë rastet e konstatuara, llogaritë janë bllokuar me vendim të përmbaruesëve.
Por ky qëndron kleçka? Si kanë përfituar përmbaruesit?
Kompanitë “MCA” dhe “Final” kishin futur në kurth qytetarët!
Pasi kishin marrë borxh, u ishin bllokuar llogaritë. Këto llogari janë të bllokuara që nga viti 2021 dhe nga bankat nuk ishte zbatuar afati 10-ditor që është vendosur nga Banka e Shqipërisë. Po sipas ligjit (të cilin bankat nuk e kanë respektuar), nëse nuk ka përgjigje nga përmbaruesit për 10 ditë lidhur me një plan se çdo bëhej me këto llogari, atëherë llogaritë do të duhet të liroheshin. Por kjo nuk ka ndodhur për një arsye të thjeshtë. Sepse vetëm kështu qytetarët mund të merrnin sërish para borxh si tek MCA, ashtu edhe tek Finali. Kështu futeshin në rrethin vicioz për të marrë gjithmonë e më shumë para. Mesa duket jo vetëm përmbaruesit, por edhe bankat janë pjesë e mashtrimit.
Brenda 10 ditëve që duhet të njoftonin bankën, por nuk e kanë bërë në asnjë rast. Këtu, në vend që të liroheshin llogaritë bankare, për shkak se përmbaruesit nuk e kishin njoftuar Bankën, llogaritë sërish nuk janë liruar. Bankat nuk kanë vepruar sipas ligjit. Ndaj edhe Prokuroria i ka përmendur me emra në dokumentin e siguruar nga Korrieri.
Bëhet fjalë për Bankat: BANKA AMERIKANE E INVESTIMEVE; BANKA E BASHKUAR E SHQIPËRISË; BANKA E PARË E INVESTIMEVE; BANKA INTESA SANPAOLO ALBANIA; BANKA KOMBËTARE TREGTARE SH.A.; ΒΑΝΚΑ ΟΤP ALBANIA SH.A.; BANKA PROCREDIT SH.A.
“Në këto kushte, me qëllim që të mos vazhdojnë pasojat e veprimeve penale ndaj qytetarëve, në zbatim të nenit 600 të Kodit të Procedurës Civile, dhe udhëzimit numër 2 datë 27.03.2014, kërkojmë nga ana juaj heqjen e të gjitha sekuestrove mbi llogaritë e qytetarëve nga përmbaruesit të cilëve u është hequr licenca,”-thuhet në dokumentin që prokuroria e Tiranës u ka dërguar zyrtarisht bankave të nivelit të dytë.
Se përse e kanë shkelur ligjin, kjo i mbetet Prokurorisë së Tiranës dhe SPAK që ta zbulojë.
SHKRESA E PLOTË:
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, bazuar në sa më sipër me vendimin nr.4488 të datës 18.07.2024, ka vendosur masën e sigurimit pasuror të sekuestros preventive mbi kuotat dhe asetet e Personit juridik, Micro Credit Albania sh.a., me NUIS L41729001H, dhe Person juridik “Final” NUIS K81311012P, Për Administrimin dhe përdorimin e pasurive të personit Juridik është ngarkuar Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme, Tiranë. Minisitria e Drejtësisë ka konstatuar se shumë përmbarues që kanë vepruar për llogari të shoqërive MCA dhe Final për mbledhjen e borxhit, kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe u ka revokuar liçensat. Për shkak të mosdorëzimit të dosjeve dhe për shkak të problemeve të tjera teknike nuk është bërë e mundur të vendosen përmbaruesit zëvendësues dhe për këtë arsye llogaritë e shumë qytetarëve prej vitesh kanë mbetur të bllokuara. Banka e Shqipërise më shkresën me nr.5803 date 22.08.2024, na ka njoftuar se: “për shkak të janë revokuar licennsat e përmbaruesve pas marrjes në administrim të shoqërive MCA sh.p.k si dhe FINAL sh.p.k, nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Bankës së Shqipërisë janë administruar një numër i konsiderueshëm ankesash prej konsumatorëve të ndryshëm, kredimarrës apo bashkëkredimarrës, dorëzanës dhe jo të tillë, të cilët parashtrojnë shqetësimin se llogaritë e tyre bankare janë në sekuestro prej përmbaruesve të ndryshëm, kryesisht, Fatos Alimadhi, Altin Vako, Rigels Bejko, Helidon Xhindi, por jo vetëm, për llogari të subjekteve financiare (tashmë pa licensë) MCA sh.p.k si dhe FINAL sh.p.k. Në ankesat e depozituara ata pretendojnë se llogaritë janë nën sekuestro prej përmbaruesve, certifikatat e ushtrimit të profesionit të të cilëve janë të revokuara prej Ministrisë së Drejtësisë dhe një pjesë e tyre janë kallëzuar prej Ministrisë së Drejtësisë në prokurori për shkelje të ndryshme të dyshuara me natyrë penale. Në disa prej komunikimeve me Ministrinë e Drejtësisë, kuptojmë se zëvendësimi i përmbaruesve licenca e të cilëve është revokuar nuk është bërë e mundur të kryhet, edhe pse detyrimi për këtë buron nga ligji për shërbimin përmbarimor privat. Sipas disa komunikimeve me Ministrinë e Drejtësisë, disa prej këtyre përmbaruesve nuk i kanë dorëzuar dosjet pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë nuk ka përcjellë listën me përmbarues zëvendësues në mënyrë që dosjet përmbarimore të vijojnë të trajtohen prej përmbaruesve të tjerë. Kjo ka sjellë që të mos kryhen më veprime përmbarimore për të hequr sekuestrot në rast të ekzekutimit të detyrimeve prej debitorëve të ndryshëm. Nga ana tjetër, në rastin e sekuestrove për llogari të Institucioneve Financiare Jo Banka MCA sh.p.k si dhe FINAL sh.pk, shumë kredimarrësve, garantorëve apo dorëzanësve, bashkëkredimarrësve etj, u kanë mbetur llogaritë bankare të sekuestruara, në disa raste duke ju mohuar edhe tërheqjen e pagës minimale prej llogarive bankare ku depozitohen prej punëdhënësve shumat e pagave nga punësimi Banka e Shqipërisë, në përmbushje të detyrimit, që buron nga neni 600 i Kodit të Procedurës Civile, ka nxjerrë Udhëzimin me Nr 2, datë 27.03.2014 “Për Mënyrën e Ekzekutimit të Detyrimeve mbi Shumat e Llogarive Bankare”. Sipas këtij parashikimi në rast se banka pas urdhrit të përmbarimit për sekuestro, gjen shuma në llogarinë bankare të debitorit, vendos sekuestro menjëherë dhe njofton brenda 3 ditësh pune përmbaruesin për veprimet e kryera.
Në rast se brenda 10 ditëve pune, përmbaruesi nuk komunikon me bankën se çfarë do të bëjë me shumat e sekuestruara, sekuestro mbi llogarinë e debitorit konsiderohet e rënë. Në këto kushte me qëllim që të mos vazhdojnë pasojat e veprave penale ndaj qytetarëve, në zbatim të neni 600 i Kodit të Procedurës Civile, dhe Udhëzimin me Nr 2, datë 27.03.2014 “Për Mënyrën e Ekzekutimit të Detyrimeve mbi Shumat e Llogarive Bankare”, kërkojmë nga ana Juaj heqjen e sekuestrove të vendosura mbi llogaritë e të gjithë qytetarëve( individëve), nga përmbaruesit të cilëve u është hequr liçensa dhe për të cilët jeni njoftuar zyrtarisht( nga Ministria e Drejtësisë), që ka të bëjë me urdhërat e ekzekutimit të lëshuara për llogari të shoqërive Micro Credit Albania, me NUIS L41729001H, dhe “Final” me NUIS K81311012P. Nëse Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara do të çmoj të nevojshme në vazhdimin, ekzekutimin e mbledhjes me forcë të atyre detyrimeve që do të rezultojnë në përputhje me ligjin pra detyrime jo të lindura nga veprimet e kundraligjshme ë sipërcituara), në momentin që do të kryhet zëvendësimi i përmbaruesit të kryje veprimet përmbarimore konform legjislacionit në fuqi. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, kërkojmë që pas heqjes së sekuestrove të llogarive bankare të individëve të ndryshem, llogaritë e të cilëve janë sekesutruar me vendim/urdher të përmbauesve të cilëve rezulton tu hetë hequr liçensa, të njoftohemi zyrtarisht, pra Prokuroria dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, e cila aktualisht zotëron kuotat e shoqërive “Micro Credit Albania, me NUIS L41729001H, dhe “Final” me NUIS K81311012P. Lista e emërave të qytetarëve që do tu hiqet sekuestrimi i llogarive bankare të na dërgohet në hard copy dhe në mënyrë elektronike me qëllim që në vazhdim të kryhen verifikimet nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.