Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjyklim çështjen në ngarkim të Elton Musta dhe Agron Hysa si dhe dy shoqërive “Sulova Ndërtim Prodhim” dhe “Vëllezërit Hysa” për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Nga hetimet e zhvilluara, rezultoi se Elton Musta ka krijuar formalisht në datën 27 qershor 2014, shoqërinë “Sulova Ndërtim Prodhim” teksa vijonte të ishte i punësuar tek shoqëria“Vëllezërit Hysaj” shpk.
Hetimi provoi se shoqëria “Sulova Ndërtim” nuk ishte gjë tjetër veçse një krijesë e shoqërisë “Vëllezërit Hysa” e cila përdorej nga kjo e fundit për qëllime të pjesëmarrjes në procedura prokurimi jo në emrin e saj por në emër të shoqërisë “Sulova Ndërtim Prodhim”.
Musta dhe Hysa, sipas Prokurorisë, dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, pasi ata kanë paraqitur në procedurën e prokurimit të dhëna të rreme në lidhje me pjesëmarrësit dhe përfituesit e vërtetë të kësaj procedure prokurimi.
Hetimi tregoi se paraqitja e shoqërisë “Sulova” apo edhe “IRCOP” dega Shqipëri, në procedura prokurimi është thjesht një veprim formal pasi në të vërtetë pas tyre fshihej shoqëria “Vëllezërit Hysa”.
Njoftimi i Prokurorisë Tiranë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit E.M., A.H. dhe shoqëritë “Sulova Ndërtim Prodhim” dhe “Vëllezërit Hysa” për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal.
Nga hetimet e zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr.207, datë 26.09.2019 për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, të parashikuara nga nenet 248, 258, 186 dhe 259 i K.Penal, rezultoi se shtetasi E.M. ka krijuar formalisht në datën 27/06/2014, shoqërinë “Sulova Ndërtim Prodhim” teksa vijonte të ishte i punësuar tek shoqëria “Vëllezërit Hysaj” shpk.
Hetimi provoi se shoqëria “Sulova Ndërtim” nuk ishte gjë tjetër veçse një krijesë e shoqërisë “Vëllezërit Hysa” e cila përdorej nga kjo e fundit për qëllime të pjesëmarrjes në procedura prokurimi jo në emrin e saj por në emër të shoqërisë “Sulova Ndërtim Prodhim”.
Shtetasit E.M. dhe A.H. dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal, pasi ata kanë paraqitur në procedurën e prokurimit të dhëna të rreme në lidhje me pjesëmarrësit dhe përfituesit e vërtetë të kësaj procedure prokurimi. Hetimi tregoi se paraqitja e shoqërisë “Sulova” apo edhe “IRCOP” dega Shqipëri, në procedura prokurimi është thjesht një veprim formal pasi në të vërtetë pas tyre fshihej shoqëria “Vëllezërit Hysa”.
Po ashtu edhe personat juridik “Sulova Ndërtim Prodhim”, me NUIS L43027201P dhe “Vëllezërit Hysa” shpk, kanë konsumuar elementët e veprave penale të parashikuara nga nenet 186 dhe 25 të Kodit Penal. Lidhur me këta të hetuar me vendimin e datës 08.11.2022 Prokuroria e Posaçme ka vendosur ndarjen e akteve dhe vazhdimin e hetimeve në një procedim penal më vete.