Prej kohësh në Tiranë, thuhet se në zyrat e Prokurorisë së Posaçme, është mbyllur në mënyrë ‘hermetike’ një dosje ku përmenden emra të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë, që janë pjesë e përgjimeve në SKY ECC. Kjo dosje, sipas gazetarëve të ftuar në emisionin “Top Story” përmban të dhëna drithëruese, që do të fusnin në kolaps vetë sistemin e drejtësisë, për shkak të emrave të rëndësishëm që përmenden në akte korruptive, dhe ndërhyrje për çështje të ndryshme gjyqësore.
Sipas gazetarit Ferdinand Dervishi, dosja në fjalë, e cila ka një vendim gjyqësor nga SPAK, për të mos u publikuar, i përket operacionit dhe hetimeve që çuan në pranga kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka. Ky i fundit duket se nuk ka vepruar i vetëm, por në bashkëpunim edhe me kolegë të tij brenda sistemit të drejtësisë, një pjesë e të cilëve madje, e kanë kaluar Vetingun, dhe janë pjesë e organeve më të larta.
Biseda në studio:
Lorenc Vangjeli: Po ju rrëfej diçka që flitet shumë në kafet e Tiranës, por që nuk është përmendur ende. Bëhet fjalë për një dosje gjyqësore, që ka për subjekt personazhe të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare. Ka një vendim gjyqësor, që e konsideron nxjerrje të sekretit hetimor të dhënat e kësaj dosjeje dhe ndalon publikimin e të dhënave, është një dosje me dhjetra faqe. Nëse janë të vërteta ato që qarkullojnë…
Ervin Karamuço: Do ta kalonte në kolaps të gjithë sistemin e drejtësisë, e kemi përmendur po, po…
Vangjeli: Kujton atë që në mitologji quhej një nga trimëritë e Herkulit, kur i thanë Herkulit që duhet të pastronte hauret e mbretit, ishte e pamundur që ta bënte
Grida Duma: Jo jo mos më ço në mitologji tani
Vangjeli: Herkuli devijoi lumin dhe e futi në stallë, dhe e çoi pastaj në det
Duma: Çfarë nivelesh prek dosja?
Vangjeli: Prek nivele drithëruese
Ferdinand Dervishi: Mos gaboj që bëhet fjalë për dosjen e prokurorit të Vlorës, nuk e dimë se çfarë ka brenda ajo dosje, flitet për gjyqtar dhe prokuror…
Vangjeli: Bëhet fjalë për personazhe të drejtësisë së re që e kanë kaluar dhe Vetingun. Ne na merr berihaja dhe sulemi të gjithë në një drejtim, dikur në Tiranë kur komunikoje me njerëz të rëndësishëm, të thonin, pse nuk e ke ti këtë aplikacionin që të flasim aty. Edhe për ministra, deputetë, drejtues të lartë të policisë, dhe banditë.
Duma: Po ti e kishe atë aplikacionin
Vangjeli: Kurrë!