DENONCIMI/ Betonieret bllokojnë rrugën te pallati që po ngre Myftiu Gazment Bilal Teqja , lagja në KAOS, Besmir Qibini bën një sy qorr
Kaosi i shkaktuar në qytetin e Tiranës nga ndërtimet pa kriter është një problem i vazhdueshëm në kryeqytet prej vitesh, ku dita ditës janë duke u betonizuar edhe hapësirat më të vogla të gjelbërta.
Zhurma, ndotja dhe betonieret që lëvizin orar pa orar mes rrugëve dhe lagjeve janë një realitet i përditshëm tani në Tiranë, ndërkohë që gjithçka duket se ndodh me leje nga autoritetet lokale dhe qendrore si edhe me një “shkelje syri” nga Policia.
Mes kësaj rrumpalle e përditshme jemi mësuar të shohim gjithçka, por denoncimi që do t’ju sjellim më poshtë kalon çdo lloj imagjinate të mundshme të krimit që po u bëhet qytetarëve të Tiranës.
Mirë trotuaret, lulishtet, sheshet dhe çdo hapësirë tjetër janë duke u zënë me pallate, eskavatorë, e vinçe, por ndërtuesit tani po guxojnë të zenë edhe rrugën për të hedhur beton.
Sipas një denoncimi të ardhur në redaksinë e Gazeta Korrieri nga banorë të lagjes “Shkozë” në Tiranë, betonieret që po punojnë për ndërtimin e një pallati në rrugën “Pasho Hysa” kanë bllokuar rrugën njëra pas tjetrës për orë të tëra duke shkaktuar një kaos me trafikun dhe paralizim të qarkullimit në këtë lagje.
“Ju kam çuar foto dhe video. Shikoni se çfarë bëhet te pallati që po ngre imami i Tiranës, Gazmend Teqja a Bilal çfarë quhet ai. Kanë gjysmë dite që bllokojnë rrugën me betoniere dhe policia vjen e ikën dhe nuk vepron. Betonierja ka ndaluar dhe e hedh betonin nga ai pozicion që është. Kemi fëmijë për të marrë apo çuar në shkollë, kemi të sëmurë, duam të lëvizim dhe shikoni çfarë ndodh”, shkruan një qytetar.
Pas marrjes së këtij denoncimi, Korrieri bëri disa verifikime të pretendimeve të qytetarit duke konstatuar se pallati në fjalë është duke u ndërtuar nga kompania “AB Vizion sha”, e cila është në pronësi të zotit Bashkim Teqja.
Ky i fundit është babai i Myftiut të Tiranës, Gazment Teqja, i cili mban edhe emrin Bilal Teqja.
Kompania “AB Vizion sha”, e babait të Myftiut të Tiranës ka marrë lejen e ndërtimit për “Godine banimi dhe sherbimi 2, 7, 9 dhe 10 kat me 2 Kate parkimi nentoke ne rrugen Pasho Hysa” në fund të korrikut të vitit të shkuar, ndërkohë që Bilal Teqja njihet si bashkëpunëtor i kryebashkiakut Erion Veliaj.
Policia
Qarkullimi i betoniereve në mes të ditës pa asnjë kriter është bërë rregull në Tiranë, por ky duket një rast specific që duket se ka edhe leje specifike nga Policia Rrugore e kryeqytetit, e cila nuk ka ndërhyrë pavarësisht shqetësimeve të banorëve të zonës sipas denoncimit të mësipërm.
Drejtori i Policisë Rrugore të Tiranës, Besmir Qibini duket se është i zënë më shumë duke bërë spektakël me video Tik-Toku me Kozakun, ndërsa bën një sy qorr dhe një vesh shurdh kur duhet të bëjë punën që i takon duke mos u bërë shërbëtor i ndërtuesve dhe interesave të tyre që shkojnë kunder interesave të banorëve të kryeqytetit.
E si mund të imagjinohet që një biznesmen të bllokojë rrugën për qejfin e tij, pa leje nga Policia Rrugore?!