Kryeministri Edi Rama mblodhi gjatë ditës së djeshme kryebashkiakët socialistë dhe drejtuesit e qarqeve në Pallatin e Kongreseve, ku në fokus ka qenë përgatitja për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Një pikë e rëndësishme në takimin që u mbajt me dyer të mbyllura, është shqetësimi i socialistëve për rritjen e elektoratit gri, atyre që nuk besojnë te klasa politike në vend, dhe me gjasë mund të mos iu drejtohen kutive të voitimit vitin e ardhshëm.
Referuar sondazheve të brendshme të socialistëve, numri i elektoratit gri ka ardhur në rritje në vitet e fundit, dhe kjo ka bërë që Rama t’iu kërkojë të vetëve që të përqendrojnë energjitë e tyre, pikërisht në këtë kategori qytetarësh. Kryesocialisti ka kërkuar në mbledhje, që përfaqësuesit e PS të bëjnë gjithçka që elektorati gri të mos shkojë te PD, apo te lëvizjet e reja politike që janë krijuar së fundi në vendin tonë.
Po ashtu nga sondazhet që vetë socialistët kanë kryer, është se në 10 vitet e fundit, mbështetja për këtë forcë politike ka ardhur në rënie. Sipas socialistëve, votuesit që kanë ikur prej tyre, nuk kanë shkuar te kundërshtarët, por janë pjesë e elektoratit gri. Për këtë shkak Rama ka kërkuar vëmendjen maksimale, dhe jo më kot programi politik i socialistëve për zgjedhjet e vitit të ardhshëm mban emrin ‘beteja votë më votë”.
Socialistët synojnë që zgjedhjet parlamentare të zhvillohen më 11 Maj, datë kjo që përkon me të djelën e fundit e periudhës që parashikohet në Kodin Zgjedhor.
Një pikë tjetër e rëndësishme e takimit të Ramës ditën e djeshme në mesditë, është dhe identifikimi i emigrantëve, që pritet të marrin pjesë për herë të parë në mbledhje. Kryeministri ka kërkuar nga të zgjedhurit vendorë identifikimin e emigrantëve se në cilat shtete janë vendosur, sie dhe vendosja e një koordinatori në çdo bashki që të merret specifikisht me këtë çështje. Po ashtu Rama ka kërkuar fushatë për regjistrimin e emigrantëve si dhe për t’u shpjeguar të gjitha çështjet që lidhen me votën e tyre, ndër to edhe që duhet të paguhet posta.