Janë zbardhur emrat e 12 kandidatëve që kanë shprehur deri tani interesin për të qenë pjesë e garës për kreun e Policisë së Shtetit. Afati i dorëzimit të kanidaturave është dita e nesërme, e mërkurë 18 Shtator. Deri tani janë 11 emra të rëndësishëm që kanë dorëzuar kandidaturën, të cilat më pas do të shqyrtohen nga një komision etik, që do të shpallë edhe kandidatin fitues. Gazetari Elton Qyno ka zbuluar listën e 12 kandidatëve, në mesin e të cilëve dhe Lutfi Minxhozi. Ky i fundit për shumë vite me radhë ka shërbyer si Drejtor i Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit dhe njëherësh dhe Drejtor i Interpol Tirana.
Një tjetër emër është Neritan Nallbati, Drejtori aktual i Drejtorisë së Krimit të Organizuar dhe hetimit të Krimeve të Rënda. Nallbati është përjashtuar nga policia, por u rikthye në polici në vitin 2015 menjëherë pasi në pushtet erdhën socialistët.
Gjithashtu, interes për të qenë pjesë e garës dhe pse jo Drejtori i ardhshëm i Policisë së Shtetit, mësohet se është dhe oficeri me gradën “Drejtues i Lartë”, Pëllumb Seferi. Seferi ka studiuar në Itali. Ai u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1998 është emëruar Shef i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.
Në vitin 2000 është emëruar si Specialist i ZQK Interpol Tirana. Në vitin 2006 është emëruar Shef i ZQK Interpol Tirana, e në vijim ka mbajtur poste të ndryshme në Polici. Tashmë Seferi aspiron të kapi fronin e Drejtuesit më të lartë.
Rebani Jaupi, është një tjetër emër që ka kandiduar për postin e policisë së Shtetit. Jaupi ka mbajtur disa detyra të larta në polici dhe plotëson të gjitha kushtet për të qenë në krye të kupolës së uniformave blu.
Por në këtë garë ai ndiqet nga Ilir Proda, një tjetër drejtues policie i lartë, që ka çuar dosjen e tij për të konkurruar për kreun e Policisë së Shtetit.
Ilir Proda, aktualisht, ushtron detyrën në policinë e Elbasanit, ku gjatë kësaj kohe ka realizuar disa operacione kundër drogës të quajtur “Tempulli”.
Skënder Hita, drejtori aktual i Policisë së Durrësit është një tjetër kandidat potencial që ka shfaqur interes për të qënë në garën për kreun e Policisë së Shtetit.
Një tjetër emër që mësohet se ka shfaqur interes dhe ka kandiduar është dhe ish-oficeri i Policisë Gjyqësore dhe njëherësh ish-prokurori Shkëlqim Hajdari.
Hajdari ka eksperiencën e duhur ligjore dhe njëherësh eksperiencën policore, pasi për vite me radhë ka shërbyer në repartin special “RENEA”.
Por në këtë garë Hajdari ndiqet nga konkurrenti tjetër Shemsi Prençi, një ish-drejtues policie që ka shërbyer në nivelet më të larta të Policisë së Shtetit.
Sami Rasha, ish-drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm aktualisht pedagog në Akademi, është kandidati i radhës.
Ai mësohet se ndiqet nga kandidatura e Adriatik Tafçiut dhe Gentjan Shehaj. Pritet që ditën e mërkurë të përfundojë afati i dorëzimit të kandidaturave, duke shpalosur më pas konkurrencën profesionale dhe pikëzimin e dosjeve, deri në shpalljen e fituesit.
Ndërkohë që një tjetër kandidat që i është shtuar listës për postin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, është Altin Mena, zëvendës drejtor aktual i policisë së Lezhës. I sapo graduar me gradën “drejtues” Mena prej vitesh është pjesë e radhëve të policisë.
Posti më i lartë që ai ka mbajtur në karriere është ai aktual si zëvendës drejtor policië për rendin dhe sigurinë në Lezhë. Në këtë qytet më herët ai ka shërbyer si shef i qarkullimit rrugor.
Gjithashtu Mena ka mbajtur dhe detyrën e shefit të komisariati. Post ky që e ushtroi deri pak muaj më parë në qarkun e Beratit.
LISTA E KANDIDATËVE
1. Lutfi Minxhozi
2. Pëllumb Seferi
3. Neritan Nallbati
4. Rebani Jaupi
5. Skënder Hitaj
6. Ilir Proda
7. Shemsi Premçi
8. Shkëlqim Hajdari
9. Adriatik Tafçiu
10. Gentjan Shehaj
11. Sami Rasha
12. Altin Mena
Pas dorëheqjes së ish-Drejtorit të Përgjithshëm Muhamet Rrumbullaku është hapur menjeherë gara në datën 10 Shtator, ku sipas njoftimit aplikimi zgjat shtatë ditë. Gara për drejtor të përgjithshëm u hap pasi ministri i Brendshëm Ervin Hoxha publikoi një udhëzim, duke u dhënë mundësinë kandidatëve të aplikojnë. Të gjitha personat që duan të aplikojnë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit kanë edhe dy ditë afat. Përkohësisht Policia e Shtetit po drejtohet nga Sokol Bizhga.