Duhet të shpërthejë një skandal që institucionet shqiptare të reagojnë për të marrë masa. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar pas zbulimit nga autoritetet italiane të një skeme mashtrimi me diploma dhe certifikata false nga Kolegji Universitar “Wisdom” në Tiranë, ku vlerat e pagesave varionin nga 8.000 deri në 19.500 euro.
Sipas Ministrisë, Kolegji “Wisdom” ka kaluar nëpër procedura kontrolli dhe akreditimi, dhe grupi i punës ka përpiluar një raport përfundimtar, ku evidentohen shkelje ligjore në veprimtaritë akademike, administrative dhe financiare të institucionit.
“Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore për mbylljen e aktivitetit akademik të këtij institucioni jopublik të arsimit të lartë. Theksojmë se për vitin akademik 2024-2025, Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ka certifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar ‘Wisdom’,” thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Megjithatë, një verifikim nga VNA zbuloi se kolegji nuk ka publikuar asnjë njoftim për mbylljen e tij në faqet e tij online. Përkundrazi, më 30 korrik, ka shpallur një njoftim për maturantët, duke i inkurajuar të zgjedhin këtë institucion. Më 9 shtator, ka bërë një tjetër njoftim për konkurs punësimi, duke kërkuar staf të ri.
Kjo ngre pyetjen: Nëse Kolegji është njoftuar nga Ministria për procedurat e mbylljes, si është e mundur që vazhdon të kërkojë punonjës dhe të bëjë thirrje për regjistrime të reja?