Gjatë podcastit të sotëm ku fokus ishte turizmi, kryeministri Rama u ndal edhe te problematika e mungesës së fuqisë punëtore duke theksuar se kjo mund të zgjidhet nëse bizneset rrisin pagat.
“Tani kam kuptuar që kur nuk ka njerëz, ti duhet të ngresh rrogën se nuk ke ku shkon. Do t’i konsiderosh ata njerëz që punojnë për ty, gjënë më të çmuar që ke. Këtë vit kam dëgjuar nga disa që kanë marrë njerëz që janë kthyer nga Greqia dhe më thonë që kemi interesim nga ata që janë në Greqi. Nuk ka më asnjë krahasim, të punosh kamerier në Greqi dhe Shqipëri, ke më shumë përfitime në Shqipëri”-tha Rama.
Ndërkohë, kryeministri u ndal edhe te shfrytëzimi i plazheve duke theksuar se vitin e ardhshëm do të jepen leje për hotelet vetëm aq sa kanë kapacitetin dhe s’do të lejohen beach bare dhe ristorante në plazh.
“Nuk mund të kesh një hotel me 40 dhoma dhe të vësh 200 shezlonge e të marrësh popull aty e ti detyrosh të paguajnë. Do të vësh shezlonge për aq sa ke kapacitet! Natyrisht jo një për dhomë, dhe do të lësh distancë nga shezloni në shezlon. Nuk mund ti çosh shezlonet deri në breg, që njerëzit kur duan të kalojnë në breg ta kenë të pamundur ose të biejnë me not ose të dalin nga rruga e të mallkojnë veten që erdhën në plazh. Kështu do të krijojmë një fashë atë që kemi thënë të hapësirës publike në vijën e ujit e ti do të tërhiqesh prapa”– tha Rama.