Dy djemtë e autorit të vetëdorëzuar të vrasjes së dyfishtë në Roskovec, Altin Kuka, janë vënë në pranga.
Ervis dhe Emaurisio Kuka u arrestuan nën dyshimet se kanë “gisht” në ngjarje dhe kanë bashkëpunuar në krim.
Policia njofton se po ashtu ka arrestuar një tjetër person, Tomor Zyka, pasi akuzohet se ka ndihmuar në fshehjen e ngjarjes.
“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në Roskovec, ku u vranë me armë zjarri 2 shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:
-A. K., 49 vjeç, E. K., 21 vjeç dhe E. K., 18 vjeç (babai dhe 2 djemtë e tij), të tre banues në Fier, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri automatik, shtetasit L. K., 46 vjeç, dhe G. K., 52 vjeç, për motive të dobëta;
-T. Z., 67 vjeç, banues në fshatin Çukalat, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i K. Penal”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë është proceduar penalisht babai i autorit, pasi në banesë i janë gjetur armë zjarri, konrektisht 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 4 krehra, municion luftarak, 5 automjete dhe 1 motoçikletë.