Banorët e fshatit Kurjan në Roskovec u tronditën të martën nga një vrasje e dyfishtë. Altin Kuka i mori jetën Lavdimir dhe Gramos Kurtit në ambientet e një lokali në pronësi të viktimave.
Shkaku që ka shtyrë 49-vjeçarin të marrë armën automatike dhe të qëllojë mbi ta është bërë një grindje mes fëmijëve të tyre, që është regjistruar mbrëmjen e djeshme.
“Viktimat ishin vëllezër me njëri-tjetrin, çuna të mirë. Autori i ngjarjes ishte nga këtu, nga fshati. Është ngjarje shumë e rëndë, nuk na ka ndodhur neve më parë kjo gjë”, tha për A2 një prej banorëve.
Një tjetër banor tha: “Autori ishte shok me viktimat. Para një jave u kishte ardhur vëllai nga Amerika dy viktimave, kemi qëndruar aty. Asgjë nuk e justifikon veprimin. Rrinim aty. Është një fshat që është parë nga të gjitha vlerat që ka pasur, të gjitha traditat”.
Ndërsa një tjetër shton: “Hanin e pinin bashkë, nuk e di si mund të ketë qenë muhabeti, se si ka lindur. E di që kanë pasur marrëdhënie tepër shoqërore. Viktimat me njëri-tjetrin, ishin vëllezër, por njëri nga këta ishte dhënë për adoptim te xhaxhai”.