Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në mbledhjen e Asamblesë së PS-së me fokusin në përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Rama u shpreh se nisur nga kodi i ri zgjedhor, deputetët me më shumë se një mandat do të jenë në garë të hapur, teksa të rinjtë do të jenë pjesë e listës së mbyllur.
Edi Rama: Ju uroj mirëseardhjen atyre 100 anëtarëve të rinj të Asamblesë, që ia keni borxh kongresit. Duhet të kryeni me dinjitet detyrën tuaj, sot hapim një kapitull të ri të jetës së kësaj familje politike, ku përmbyllim proceset e brendshme zgjedhore. Ne do të nisemi drejt përballjes për mandatin e katërt qeverisës pranverën e ardhshme.
Për 6 muaj duhet të jetë gati të zbresë në fushë skuadra jonë përfaqësuese. Në mos gaboj do të jenë 187 kandidatë për deputetë, më e mira është që deputetët me më shumë se një mandat, dhe drejtuesit e qarqeve, ku jam edhe unë, të jenë në garë të hapur, ndërsa të tjerët të jenë në listën e mbyllur. Kjo do të thotë se pjesa kryesore e listës së mbyllur, do të jenë deputet me një mandat, dhe të rinj dhe të reja, që do të spikasin nga sot deri në Shkurt, në garën individuale brenda apo jashtë partisë. Shqipëria po bëhet dhe PS e 2030, duhet të jetë partia e atyre që po e bëjnë Shqipërinë.