Dy vëllezërit shqiptarë, Fatjon dhe Isuf, të dy të dyshuar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) se kanë qenë në krye të një bande të madhe të krimit të organizuar dhe trafikantëve të drogës nga Londra, jetonin më së miri mes Britanisë së Madhe. Edhe pse nuk kishin burime të konsiderueshme të ardhurash për të justifikuar stilin e tyre të jetës, sërish binin në sy për luksin e tyre. Por pikërisht zgjedhja e tyre për të jetuar ashtu siç e kishin bërë deri pak kohë më parë i ka kushtuar lejen e qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Të dy e kanë humbur gjyqin ndaj “Home Office”. Vëllezërit hynë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, por iu dha leja e pacaktuar për të qëndruar në vend pas martesave që bënë me dy vajza, njëra nga Letonia, tjetra nga Bullgaria. Vendimi i parë u kundërshtua nga Komisioni Special i Apelimit të Emigracionit (SIAC).
Vëllezërit raportonin se kishin të ardhura vetëm nga puna në ndërtim dhe pastrim, por në fakt thëniet e tyre nuk përputheshin me mjetet sportive që ngisnin dhe një apartament që kishin blerë në Chelsea. Kështu që më 28 gusht, SIAC hodhi poshtë ankesën e Isuf Dautit, 32 vjeç, kundër refuzimit të Home Office për t’i dhënë leje të pacaktuar për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar. I vëllai, Fation Dauti e kishte humbur të drejtën e tij për të qëndruar në Angli që në vitin 2021.
Zyra e Brendshme i revokoi lejen e qëndrimit të Fationit pasi ai u kthye në Shqipëri në vitin 2021, fill pasi siguruan një dosje provash nga NCA që thoshte se ai ishte një rrezik për sigurinë kombëtare. NCA pretendonte se Fation Dauti ishte i aftë për “dhunë ekstreme” dhe se ishte “një anëtar me ndikim” i një rrjeti kriminal shqiptar me bazë në Londër, i përfshirë në importimin e kokainës, prodhimin e kanabisit, kontrabandën e njerëzve dhe pastrimin e parave.
Fation Dauti, i njohur ndryshe si Fation Dautaj, hyri në Britaninë e Madhe në moshën 14-vjeçare. Atij iu dha leja e përkohshme e qëndrimit në vitin 2012, sepse ishte i martuar me një shtetase letoneze. Atij iu dha statusi “i përhershëm” në gusht 2017, por Home Office e revokoi vendimin në shtator 2019, bazuar në inteligjencën nga NCA, e cila po hetonte rrjetin e tij, por nuk kishte mundur që të ngrinte akuzë ndaj tij. Fation Dauti mohoi çdo pretendim të ngritur ndaj tij duke argumentuar se me personat e grupit kriminal kishte thjesht njohje shoqërore, por nuk bindi askënd. Mes personave që dyshohet se Fationi kishte lidhje ishte kushëriri i tij Alket Dauti, 33 vjeç, i cili u arrestua nga oficerët e NCA në qershor 2018 në Penge, në jug të Londrës, dy muaj pas takimit me Fation.
Në mars 2021, gjyqtarët e SIAC pranuan pretendimet e Home Office dhe NCA se Fation Dauti gjithashtu ishte i përfshirë në krime dhe se përbënte një kërcënim serioz për sigurinë publike, ndaj nuk duhet që të qëndronte më në Angli. Në Apel u zbulua se ai kishte blerë një shtëpi, klube nate, veshje të shtrenjta dhe makina luksi. Po flasim për marka si Bentley, Range Rover dhe Jaguar, të cilat dyshohet se i kishte blerë me para droge. Në mbrojtjen e tij, Dauti tha se i gjithë procesi po i shkaktonte atij dhe të shoqes “stres” dhe se dëshironte të rifillonte jetën me të në Mbretërinë e Bashkuar, edhe pse në Tiranë kishte një bar.
Por fotot që iu gjetën në telefon nuk e ndihmuan pasi kishte fotografuar veten me një kallashnikov dhe një pistoletë izraelite.
Martin Matthews, pjesë e NCA, tha në seancën dëgjimore në vitin 2017 se vëllai i madh, Fation Dauti ishte “udhëheqësi” i një rrjeti shqiptar trafiku, por shtoi se kishte shumë pak prova për ta arrestuar. Avokatët e Fation argumentuan se megjithëse klienti i tyre nuk ishte i përfshirë në krimin e organizuar, nëse ndonjëherë identifikohej si i tillë, ishte gabim.
Gjatë apelit të SIAC për Isuf Dautin në maj të këtij viti, Home Office pretendoi se ai kishte marrë përsipër drejtimin e grupit pasi i vëllai ishte larguar nga vendi. Megjithatë, i akuzuari pretendoi se ai nuk kishte asnjë përfshirje në krimin e organizuar dhe nuk përbënte kërcënim për sigurinë, por thjesht kërkonte të mos dëbohej nga vendi.
Por në kundërshtim me pretendimet e tij, Zyra e Brendshme renditi shtatë “kriminelë”, disa të dënuar, me të cilët kishte prova se Isuf Dauti kishte lidhje. Ndaj u vendos edhe dënimi i tij nga vendi.