Palët nuk donin zhurmë, pse i “fali” Artur Koçeku ata që e lanë pa ndjenja te Bar Sin në Palasë , çfarë fshihet në prapaskenë, mediat: Erinda Lutaj , pronare e biznesit ku ndodhi sherri
Turi Koçeku, i cili njihet në letra edhe si Luçiano Koçeku, emër i ndërruar për shkak të disa “mëkateve” të viteve më parë, ka hequr dorë nga çdo pretendim ndaj autorëve të dhunës ndaj tij disa netë më parë në Bar Sin Eat and Drink në Palasë.
Koçeku ka deklaruar para Oficerëve të Policisë Gjyqësore se nuk ka asnjë pretendim ndaj dhunuesve duke theksuar se të dyja palët kishin qenë të dehur dhe se sherri kishte ndodhur për shkak të pijes.
Në këtë mënyrë, duket se Koçeku ka dashur t’i japë fund jehonës së sherrit në Green Coast për shkak të backgroundit të tij dhe të rivalëve, ku të dy palët janë pjesë e grupeve të forta në Tiranë dhe bregdet me lidhje të ngushta në ndërtim, biznesin e pastrimit të parave, etj., ndërkohë që sëfundmi në media është shfaqur emri i biznesmenes Erinda Lutaj si pronare e Bar Sin ku ndodhi sherri.
Grupi në fjalë mori disa javë më parë lejen për ndërtimin e një kulle 35 kate në zonën e Laprakës në Tiranë, cila do të bëhet nën logon e Top Seven, e hapur dikur si agjenci turistike dhe më pas në shitje dhe dhënie makinash me qira, ndërsa sëfundmi ka kaluar në ndërtim.
Nga këqyrja e bilancit duket se kompania në fjalë ka një fryrje të bilancit gjatë viteve të fundit, gjë që do të duhej verifikuar nga autoritetet përkatëse mbi lëvizjet e dyshimta të kryera.
Në ngjarjen e Palasës u përfshi edhe Fatmir Bejo, emri i të cilit nuk u përmend fillimisht nga Policia e Vlorës dhe u deshën që të kalonin 16 orë që të konstatohej prezenca e tij aktive në sherr.
Duket se palët e përfshira në sherrin e Bar Sin në Palasë, pasi u ka dalë pija kanë bërë bilancin se çfarë do të humbisnin nga vëmendja e medias, policia dhe prokurorisë dhe çfarë do të fitonin nëse e çonin ngjarjen në dyert e drejtësisë duke bërë që të tërhiqen për të fshehur gjurmët dhe ato që fshehin nën “tapet”.
NGJARJA
Një grup personash u përfshinë në një sherr të dhunshëm në ambientet Bar Sin në Palasë, ndërsa mbante koncert këngëtari grek, Konstandinos Argiros, të shtunën e javës së kaluar.
Të plagosur mbetën Luçiano Koçeku 42 vjeç, biznesmen, i njohur dhe si Tur Koçeku, si edhe një person tjetër, i identifikuar si Fatbardh Aliaj, 42 vjeç. Mësohet se Koçeku ka pasur dëmtime në pjesën e sipërme të kokës.
Mes grumbullit të personave të përfshirë në përleshje, policia dje shpalli zyrtarisht në kërkim 4 prej tyre dhe konkretisht, Xhoni Spaho 28 vjeç nga Tirana, Genti Baleci 49 vjeç nga Durrësi, Fatmir Bejo, 30 vjeç nga Durrësi dhe Klajdi Cerri, 32 vjeç nga Tirana. Por bëhet me dije se edhe 2 persona të tjerë të përfshirë në sherr janë të paidentifikuar.
Fatmir Bejo 30 vjeç rezulton i përfshirë në plagosjen me thikë të shtetasit Mirel Ishka në shkurt të këtij viti në një lokal te “Komuna e Parisit” dhe në dhunimin e pengmarrjen për disa orë në prill të vitit 2023 të biznesmenit të ndërtimit, Gj. F., për një borxh të pretenduar prej 25 mijë euro.
Mbetet e paqartë se si Fatmir Bejo ishte në kërkim dhe ka hyrë dhe dalë nga ai lokal pa rënë në sytë e policisë. I kërkuari tjetër, Xhoni Spaho, rezulton të ketë kandiduar për deputet në zgjedhjet e vitit 2021 nga radhët e Partisë “Aleanca për Demokracinë e Re”, që drejtohet nga Edmond Stojku.
Policia raportoi fillimisht se ngjarja ndodhi të hënën më datë 26 gusht, por më pas u tha se përleshja ka ndodhur mesnatën e 25 gushtit 2024, pra 2 ditë më parë. Në një njoftim të dytë të dhënë për mediat, Policia e Vlorës saktësoi datën e ngjarjes dhe njoftoi se bëhej fjalë për 2 të plagosur dhe 4 persona në kërkim, ndryshe nga sa kishte raportuar më parë, për 1 të plagosur dhe 2 në kërkim. Jo vetëm kaq. Për ngjarjen policia është treguar e rezervuar në informacione, duke mos dhënë fillimisht identitetet e personave të përfshirë dhe aq më pak dinamikën e ngjarjes apo nëse motivi i kësaj përleshjeje të dhunshme, që për fat nuk u përsërit ngjarja e 10 gushtit në Pogradec, shkon përtej hatërmbetjes për të lagurit me shampanjë! /Korrieri