I vodhi mjekut 15 000 euro, arrestohet Olsi Bibollari , pronari i Bar VOK
Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme 38- vjeçarin Olsi Bibollari, pasi vodhi 15 000 euro në një banesë në ‘Komunën e Parisit’, 5 ditë më parë, më 25 gusht 2024.
Banesa në të cilën 38- vjeçari ka vjedhur shumën e lekëve mësohet se është e Eqerem Hasanit, i cili është edhe shefi i urgjences së sëmundjeve të brendshme në QSUT.
Sipas policisë, 38- vjeçarit i është sekuestruar shuma e parave të dyshuara të vjedhura, që u gjetën në banesën e autorit të dyshuar, një automjet si dhe veshjet që autori ka përdorur gjatë vjedhjes.
Sipas Report Tv, 38 vjeçari dhe mjeku kanë pasur lidhje miqësore, ku para një jave doktori i ka dhënë 50 mijë euro borxh autorit të vjedhjes, procedurë që e kanë mbyllur me dokumentacion në noteri. Por, pasi janë takuar doktori ka harruar çelësin e apartamentit në makinën e Bibollarit, të cilin ky i fundit e ka marrë dhe ka shkuar në shtëpinë e mjekut, e ka hapur dhe ka marrë lekët.
Denoncimin e ka bërë vetë doktori në polici dhe pasi kanë hapur kamerat dhe provat e tjera është identifikuar.
Nga një kërkim në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Olsi Bibollari rezulton të jetë pronar i Restorant ‘Ogi’, dhe aksioner tek një bar kafe ‘Vok’.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i kryejnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Key”. Si rezultat i tij u arrestua shtetasi Olsi Bibollari, 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal”, njoftoi policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë. /korrieri
I vodhi mjekut 15 000 euro, arrestohet Olsi Bibollari , pronari i Bar VOK