Flodian Plaku, i njohur me nofkën “Pole Qorri” dyshohet të jetë një prej autorëve të vrasjes së ish policit të Burgjeve, Gentjan Bejta, më 15 mars të këtij viti, në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushkë të Krujës.
Plaku që mban edhe mbiemrat Mamo dhe Serjani është shpallur në kërkim ndërkombëtar, mbi bazën e vendimit të gjykatës që caktoi masën e sigurisë “arrest me burg. Për të janë akuzat “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake. Pas krimit të rëndë, ai dyshohet të jetë larguar në drejtim të Dubait.
Pak ditë pas vrasjes së Gentian Bejtjas, policia arrestoi dhe dy persona të tjerë, konkretisht Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari dhe Edison Haxhiun.
Pas ekzekutimit mafioz të ish-policit të Burgjeve teksa ai punonte në serën e tij, autorët u larguan me automjetin e markës “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pas kryerjes të vrasjes. Ata kanë lëvizur në aksin rrugor Larushkë – Thumanë, pas kalimit të mbikalimit të Fushë Krujës, janë kthyer majtas dhe në fshatin Hasan kanë djegur automjetin.
Prej andej janë larguar me një automjet tjetër. “Është vërtetuar se autorët janë larguar me një automjet tip “Volkswagen Golf” me ngjyrë të zezë, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur intinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë, kanë devijuar djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës dhe janë larguar në drejtim të fshatit Bubq, Krujë”, thekson policia.
Nga kqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, është provuar se automjeti tip “Volkswagen Golf” me targë AB960GG, është në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu. Ky automjet është përdorur edhe nga shtetasi Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari.
4 ditë pas ekzekutimit, është gjetur automjeti në fjalë, ndërsa janë arrestuar Haxhoi dhe Beqaraj, të dyshuar për përkrahje të autorit të krimit.
“Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me mbishkrimin “Walther” me tetë fishekë, një armë zjarri e markës “Benelli”, e cila mbahej me lejen e organeve të Policisë, një brez me njëzet e nëntë fishekë arme zjarri, pesë pajisje si ato të radiove marrëse-dhënëse, një pasaportë e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, një kartë identiteti e Republikës të Kosovës në emër të shtetasit Kosovar B. A., e dyshuar e falsifikuar pasi fotografia është e ngjashme me fotografinë e shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe 3 aparate celulare”, deklaron policia.
Por, hetimet kanë zbuluar se Beqaraj ka patur rol të drejtpërdrejtë në vrasje. Ndaj për këtë arsye, prokuroria krahas akuzave që kishte më herët, për falsifikim dokumentash dhe mbajtje pa leje të armëve, i ka shtuar dhe akuzën e vrasjes.
Provat kundër tij dhe Flodian Plakut, si autorë të vrasjes janë siguruar gjatë kontrollit në ambjentet e një agjencie udhëtimesh në qytetin e Lezhës.
Gentjan Bejtja, u ekzekutua me 15 mars 2024, ndërsa më herët iu kishte mbijetuar disa atentateve.
Më herët me 4 korrik 2023, ai u vu në shënjestër të një tjetër atentati, por në derën e shtëpisë iu vra kunati Ramazan Sino dhe iu plagosën dy djemtë e mitur.
Bejtja njihej si kundërshtar i përbetuar i vëllezërve Durim e Valter Bami, të njohur sit ë fortët e Niklës.
Ata u përplasën që pas rrëmbimit dhe zhdukjes së Enver Stafukës, që ishte dhe miku i ngushtë i Bejtjas.
Prokuroria deri më tani ka mundur të shpallë në kërkim apo arrestoje të dyshuarit si ekzekutorë, pa mundur të shkojë tek urdhëruesit dhe financuesit e vrasjes