VNA zbardh detaje të reja nga hetimi i SPAK mbi organizatën kriminale të drejtuar nga Franc e Hajdar Copja, të cilët pasi organizuan masakrën e Bradasheshit ku ekzekutuan Endrit Alibej, xhaxhain e tij, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk, u përplasën ashpër me vëllain e tij, Erjon Alibej që kërkonte me cdo kusht hakmarrje.
Vëllezërit Copja afruan rreth vetes të shumëkërkuarin Talo Cela dhe një skuadër vrasësish me pagesë dhe filluan eleminimin e të gjithë njerëzve të besuar të Erjon Alibej, që po hetonte ndërkohë vrasjen e vëllait Endritit dhe njëherazi kishte nisur revanshin duke eleminuar të gjithë personat që dyshonte se kishin marrë pjesë në ngjarje.
Vëllezërit Copja ndonëse ishin strehuar në Dubai, arritën të vrisnin disa nga njerëzit e Alibejt, ku mes të tjerash financuan dhe organizuan vrasjen e Klevin Bahos dhe plagosën vëllain e tij Aldo (Aleksandër) Baho, ngjarje e ndodhur në 1 korrik 2019, në fshatin Broshkë, Elbasan.
Krahas dëshmisë të të penduarve të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej, SPAK ka zbërthyer me ndihmën e autoriteteve franceze edhe bisesat e kryera në SKY ECC të anëtarëve të organizatës kriminale Copja. “Nga këqyrja dhe analizimi i bisedave të zhvilluara nëpërmjet aplikacionit të kriptuar SkyECC, janë përftuar të dhëna me interes për hetimin e vrasjes së Klevi Bahos dhe plagosjen e vëllait të tij, Aldo Baho.
Në aplikacionin Sky ECC, evidentohen biseda konkrete të zhvilluara në lidhje me këtë ngjarje nga shtetasi Mikael Qosja alias Mikael Kamami, i cili bisedon me Franc Gergely alias Franc Çopja si dhe Eljo Bitrin », thuhet në dosje.
Në një nga bisedat Eljo Bitri komenton një video që ai ka parë ku është tentuar të ekzekutohet shtetasi Aldo Baho, të cilit i referohen me nofkën “Sakati”.
Eljo Bitri e pyet Mikael Qosja (Kamami): Si e kanë lënë të gjallë Aldo Bahon? Dhe përse personat që kanë marrë pjesë në ekzekutim, nuk kanë zbritur fare nga makina”.
Eljo Bitri ka shkruar se nuk duhet të iknin pa u siguruar dhe se janë sjellë si fëmijë.
Mikael Qosja (Kamami) i përgjigjet se fajin e ka Talo Çela (Moma) pasi kanë goditur dhe kanë ikur me vrap.
Franc Gergely (Çopja) komunikon me dy përdorues të tjerë të Sky të paidentifikuar dhe gjatë bisedës shkëmbejnë foto të Aldo Bahos. “Per 5min mka ngel gjall ky kurva mu; Ka zbrit nga makina 4 vjet rrjesht i kam prit; Sa hapja syt vec ato menoja; Kismeti vet shpetoj”, shkruan Franc Copja.
Ai thotë më tej se nuk i njihte me parë vëllezërit Baho, por ata dolën në skenë pas masakrës së Bradasheshit ku u vranë Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay).
Më tej, Mikael Qosja bisedon me një person të paidentifikuar ku shkruan se: Aldo Baho ka patur shumë fat pasi nga 30 gjuajtje vetëm 3 e kanë kapur dhe nuk ishte as në rrezik jete gjatë atentatit. Mikael Qosja (Kamami) tregon më tej në bisedë se grupi atentatorëve ishte gati dhe se e kanë ndjekur dhe ditë më para Aldo Bahon por ai ka ikur shumë shpejt.
Gjatë komunikimit Mikaeli, kur bisedon për ekzekutorët i referohet në vetën e parë shumës, “…na thyu fenerin e makinës” ; “ishin në ecje”. Hetuesit dyshojne se Mikael Kamami ka qënë së bashku me grupin në organizimin e atentatit ndaj vëllezërve Baho.
“Atentati ndaj vëllezërve Baho, si pasojë e të cilit ka humbur jetën shtetasi Klevin Baho dhe ka mbetur i plagosur vëllai i tij shtetasi Aldo Baho, është kryer me qëllim eleminimin e njerëzve të afërt të shtetasit Erion Alibej të cilët mund ta ndihmonin atë në gjetjen e personave që janë përfshirë në vrasjen e vëllait dhe xhaxhait të tij më datë 29.12.2018, pranë restorant “Dervishaj”, në Bradashesh Elbasan”, thuhet në dosje.
Sipas SPAK, nga komunikimet në Sky, rezulton e qartë që interesuari i drejtpërdrejtë dhe financuesi për vrasjen e Sandër Bahos, ishte i hetuari Franc Çopja, për motive hakmarrje. Kjo sepse Sandër Baho, i nxitur nga Erion Alibej, ishte duke u interesuar për vrasjen e trefishtë në Bradashesh. Po ashtu Franc Copja donte dhe tu jepte mesazh njerëzve që i rrinin afër Erion Alibej se çfarë fundi i priste.
“Lidhur me këtë episod, edhe pse Hajdar Çopja nuk rezulton të ketë biseda, si bashkëfinancues, nga tërësia e bisedave të kqyrura në Sky CC, rezulton se në këtë ‘’’luftë’’ midis grupit Alibej dhe atij Copja, Franc Çopja ka patur në krah vëllanë e tij, pikërisht të hetuarin Hajdar Çopja, të cilët të dy së bashku kanë financuar organizatën me qëllim hakmarrjen ndaj grupit tjetër Alibej”, thekson prokuroria.
NGa hetimet e SPAK është provuar se atentati ndaj vëllezërve Bahi është financuar dhe porositur nga vëllezërit Çopja, shtetasit Franc Gergely (Çopja) dhe Hajdar Bako (Çopja), kjo për shkak të lidhjes shoqërore që shtetasi Aldo (Aleksandër) Baho ka patur me shtetasin e ndjerë Endrit Alibej si dhe vëllain e tij shtetasin Erion Alibej.
Mikael Qosja (Kamami) ka patur rolin e organizatorit, ndërsa i shumëkërkuari Talo Çela, ka qënë në rolin e drejtuesit të mjetit që u përdor në vrasje. Altin Ndoci, Besmir Haxhia dhe Dorian Shkoza (dy të fundit të ekzekutuar në Durrës në dy atentate pranverën e 2020) kanë patur rolin e ekzekutorit. Ndërsa persona të tjerë, të cilët nuk janë identifikuar ende kanë ndihmuar autorët nëpërmjet dhënies së informacioneve, apo asgjësimit të mjeteve të përdorura me qëllim zhdukjen e provave dhe mosgjetjen e tyre.