Amarildo Hoxhallari mbeti i vrarë pas një konflikti në Astir, ku 25-vjeçari Darmian Keli e qëlloi 4 herë me thikë. Raportohet se 25-vjeçari goditi me thikë Hoxhallarin, pasi dyshohet se i ka ngacmuar partneren. Por Hoxhallari nuk është një person i panjohur.
Në 5 janar të 2015 Amarildo Hoxhallari së bashku me kushëririn e tij Aurel Hoxhallari, i bënë atentat mikut të Emiljano Shullazit, Pajtim Serjani pranë rrugës së Kavajës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Arianit Sterjo alias Artur Baze. Për atentatin dy kushërinjtë paguan Bazen, por ky i fundit mbeti i vrarë.
Si ndodhi atentati?
Ngjarja ndodhi në rrugën e Kavajës, në një lokal, ku u qëllua drejt tavolinës në të cilën qëndronin katër miq të Shullazit. Një person i maskuar hyri i armatosur dhe qëlloi mbi Pajtim Serjanin. Në tavolinë me të gjendej edhe efektivi i GOS Roland Meta, i cili ka ndërhyrë duke qëlluar mbi të dy herë me armën e punës. Atentatori u gjet i vdekur rreth 1 kilometër larg vendit të krimit, ndërsa policia pasi e identifikoi viktimën, bëri me dije se dyshohej për vrasës me pagesë.