Gjykata e Tiranës la dje në masën e sigurisë arrest me burg efektivin e policisë Erjon Goxhara, i cili të hënën e javës që lamë pas (19 gusht), plagosi me disa plumba drejtorin e ERE-s, Lorenc Kosta, me të cilin dyshohet se bashkëshortja e tij ka pasur një raport intim.
Gjatë seancës në Gjykatë, Goxhara ka shfaqur pendesë për krimin që ka kryer, por ka pretenduar se është provokuar nga Kosta, në disa raste, madje edhe ditën e ngjarjes.
Në seancën që u mbajt me dyer të mbyllura, Goxhara ka thënë para gjyqtarit se plagosjen e ka kryer në kushte të tronditjes së rëndë psikike, për shkak të situatës që kishte shkaktuar inxhinieri i ERE-së, Kosta, në familjen e tij.
Efektivi i policisë kufitare, pasi ka mësuar tradhëtinë e bashkëshortes së tij, ka vënë në dijeni edhe gruan e Kostës, të cilën e ka kontaktuar përmes email-it. Për këtë veprim, Goxhara pretendon se është kërcënuar verbalisht nga Lorenc Kosta, pak para se ta qëllonte pasditen e së hënës tek Komuna e Parisit.
Për ditën e ngjarjes, Goxhara, ka treguar se pasi kishte kryer ritet fetare në një xhami ka dërguar vajzën te tezja e saj në zonën e Komunës së Parisit. Në zonë ai ka ndeshur Lorenc Kostën, të cilin e ka njohur. Mes të dyve është zhvilluar një debat verbal, ku Goxhara, shprehet se i ka kërkuar llogari pse i ka shkatërruar familjen. Sipas tij, Kosta i ka folur me ton kërcënues, duke i thënë “unë ta jap me deklaratë noteriale, që s’kam bërë gjë” dhe duke e prekur në sup.
Pas këtij momenti Kosta është larguar edhe pse efektivi ka kërkuar të sqarohen. Goxhara ka treguar se pasi ka zhvendosur makinën pak metra, e ka parë sërish para një marketi Kostën, vend ku ka zbritur dhe qëlluar disa herë me armë në gjymtyrët e poshtme. Kostës nuk i është marrë ende dëshmia, për shkak se gjendet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë, ku i është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale.
Vetë bashkëshortja e Goxharës, ka deklaruar se tradhtia ka ndodhur vetëm një herë, disa kohë më parë, dhe tashmë ajo me Kostën mbante vetëm marrëdhënie profesionale, duke qenë se punonin në të njëjtin vend pune, dhe kanë pasur marrëdhënie varësie. /