Zbardhet për herë të parë dëshmia e bashkëshortes së efektivit Erjon Goxhara, e cila është përfolur si shkak për plagosjen e shtetasit Lorenc Kosta, ndodhur ditën e hënë në Tiranë. Në dëshminë e saj para grupit hetimor, zbardhur nga gazetari Elton Qyno, Griselda Goxhara ka treguar se me Kostën ka pasur vetëm njëherë raport intim, dhe më pas marrëdhëniet e tyre kanë qenë vetëm për çështje pune. Ajo thotë se që nga Janari i këtij viti, bashkëshorti i saj ka qenë xheloz, dhe madje e ka dhunuar. Sipas saj tradhtia me Kostën ka ndodhur disa vite më parë.
Dëshmia e bashkëshortes së Goxharës:
“Kam pasur një raport intim me shtetasin Lorenc Kosta. Kjo gjë ka ndodhur vetëm një herë, pas këtij momenti, kontaktet me Lorencin kanë qenë vetëm për çështje pune. Prej muajit Janar 2024 Erjoni ka shfaqur shenja xhelozie, duke u fiksuar që mund ta tradhtoja. Fillimisht, pretendimet e tij për tradhti nga ana ime ishin pa ndonjë shkak të arsyeshëm apo bazë konkrete, saqë në vijim filloi të bëhej obsesiv dhe të më ushtronte presion psikologjik që unë t’i tregoja personin me të cilin e tradhtoja.
Në fillim të muajit korrik, pas presionit të vazhdueshëm dhe dhunës fizike të ushtruar nga ana e Erjonit, unë i kam pranuar që e kisha tradhtuar vetëm 1 herë, vite më parë, me një kolegun e punës sime, shtetasin Lorenc Kosta. Fillimisht Erjoni më ka thënë që t’i tregoj se do mi falë të gjitha, por pasi unë i kam treguar në lidhje me flirtin e hershëm me shtetasin Lorenc Kosta, ai është bërë keq dhe më ka ofenduar, sharë dhe ushtruar dhunë fizike ndaj meje. Një javë pas këtij konflikti, Erjoni, nga telefoni im ka komunikuar me Lorencin dhe e ka kërcënuar me jetë”.
Goxhara ndër të tjera deklaron se fillimisht ka pasur marrëdhënie të mira, korrekte me bashkëshortin, me ulje dhe ngritjet e saj, si çdo çift tjetër.
Efektivi i policisë e qëlloi në mes të rrugës 45-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë në pjesët e këmbëve dhe ato intime. Goxhara qëlloi me armë zjarri 45-vjeçarin Lorenc Kosta, pasi ky i fundit dyshohet se kishte lidhje me bashkëshorten e efektivit të Policisë. Drejtori i ERE-s ndodhet në spital dhe ka kryer dy ndërhyrje kirurgjikale.