Skandali me mbetjet e rrezikshme që është në qendër të vëmendjes së ndërkombëtareve pasi dolën nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, shtohen më shumë hijet e dyshimit me heshtjen e autoriteteve përgjegjëse. 800 tonë me mbetje të cilësuara si rrezikshme iu ndaluan linjës së transportit MAERSK për t’u çuar në destinacionin final.
Po çfarë qëndron pas gjithë kësaj historie? Autoritet shqiptare u mjaftuan me vetëm një lajmërim që bënin me dije se po bashkëpunonin me ndërkombëtarët për të kthyer pas mbetjet dhe për të vënë para përgjegjësisë penale përgjegjësit. Gazetarja e njohur Desada Metaj ka bërë një hulumtim të shkurtër ku evidenton faktin se kompania “Sokolaj SHPK” është e licencuar për transportin e lëndëve të rrezikshme.
Ajo kishte marrë përsipër t’i ngarkonte ato në kontenierët e anijeve MAERSK. Zyrtarisht origjina e mbetjeve toksike është e pakonfirmuar. Mësohet se një zëdhënës i Ministrisë së Mjedisit ka deklaruar: “Mbetjet dyshohen se vijnë nga kompani ndërkombëtare që operojnë pra një kompleksi metalurgjik në Elbasan”.
Natyrshëm shumë pyetje lindin vetiu janë: Si është e mundur që një kompani paketon dhe bën gati për transportim ndërkombëtar mbetje të cilat nuk mund të certifikohen ndërkombëtarisht? Cila ka qenë kompania që do t’i priste në Tajlandë dhe cili ishte vendi pritës për tonelata të mbetjeve të rrezikshme?
Tajlanda e ka thënë zyrtarisht që nuk ka pritur dhe nuk ka pasur dijeni për transportimin e mbetjeve të rrezikshme. Vetëm pas lëvizjes dhe alarmit që dha Basel Action Netëork (BAN), u arrit që të ndaloheshin dy anijet me 100 konteinerë.
Hapi i parë që duhet të merrej ishte që kompania “Sokolaj SHPK” që ka licencën për transportin e këtyre mbetjeve të krijonte një urë komunikimi me Ministrinë e Mjedisit për Basel Action Network. Megjithatë kjo nuk ka ndodhur dhe mbetet ende e paqartë se si 800 ton mbetje toksike arritën të dilnin nga porti i Durrësit pa dijeninë e askujt.