Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpenzuar gati 60 milionë euro në dy zgjedhjet e fundit, ato parlamenntare të vitit 2021 dhe zgjedhjet vendore të vitit të kaluar. Barrën kryesore të kostos e mban përdorimi i teknologjisë në proces.
Identifikimi elektronik u prezantua në të gjithë vendin në vitin 2021, ndërsa votimi elektronik u pilotua fillimisht në njësinë numër 10 në Tiranë për zgjedhjet parlamentare dhe më pas në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë për zgjedhjet lokale të 2023.
Kostoja e lartë e tenderave të KQZ-së për aplikimin e teknologjisë në këto procese ka aktivizuar Prokurorinë e Posaçme, që po verifikon procedurat e ndjekura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në tenderat e zhvilluar në vitet 2020 dhe 2021.
SPAK nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar, pasi është ende në fazë verifikimi. Burime të Top News pohojnë se në lupën e prokurorëve të posaçëm janë dy procedurat e zhvilluara në atë kohë për votimin dhe identifikimin elektronik në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Kostoja e zgjedhjeve të atij viti kapërceu në mbi 35 milionë euro, ku 20 milionë euro shkuan për pajisjet e identifikimit elektronik dhe 10 milionë euro të tjera për projektin pilot të votimit elektronik. Për identifikimin elektronik, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve parashikonte fillimisht një kosto prej 17 milionë eurosh.
Në tenderin e hapur u paraqitën disa oferta, por që u skualifikuan, ose u tërhoqën nga gara për të lënë vetëm një kompani në fund me ofertën prej 20 milionë eurosh.
Në këto kushte, KQZ nisi negocimin e drejtpërdrejt me këtë kompani për realizimin e identifikimit elektronik, në përmbushje të detyrimeve që i buronin këtij institucioni nga parashikimet e Kodit Zgjedhor.