Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është ndalur sonte në fjalën e tij para simpatizantëve demokratë te rruga e Thumanës. E ndërsa banorët e zonave përreth po protestojnë prej ditësh, sot Berisha iu ka bërë thirrje të gjitha rretheve të veriut që të protestojnë në Thumanë.
Por ironia qëndron se ndërsa Berisha bën thirrje për protestë, ai nuk përmend Bashkim Ulajn, biznesmenin që ka me koncesion këtë rrugë.
“Të dashur miq, le të përshëndesim ne qëndresën, guximin e të gjithë banorëve të Thumanës, Fushë Krujës dhe Krujës për të drejtat e tyre më legjitime përkundër ndëshkimit antiligjor dhe antikushtetues që Edi Rama me Lubi Ballukun në një akt racizmi kriminal u kanë bërë atyre me rrugën, e cila duhej të ishte një mirësi e madhe për banorët e zonës, por edhe një shpërblim i madh sepse u ndërtua mbi tokat e tyre.
Kjo që zhvillohet në Thumanë është dëshmia tjetër më autentike e karakterit çnjerëzor, e qëndrimit racist dhe përçmues të qeveritarëve ndaj qytetarëve të thjeshtë.
Të ndëshkosh me rrugë qytetarët e një zone, t’ua falimentosh atyre biznesin, t’ua nxisësh ditën e tregut, t’u bllokosh atyre turizmin është një ndëshkim që nuk ua ka bërë asnjë pushtim, asnjë regjim.
Ndaj dhe unë u bëj thirrje të gjitha rretheve të veriut, në Thumanë është beteja juaj.
Në Thumanë luftohet për çdo banor nga Fushë Kruja në Vermosh dhe Valbonë.
Në Thumanë luftohet kundër arbitraritetit të një qeverie që përçmon, që shkelmon mbi ta.
Në Thumanë luftohet kundër një diskriminimi të tmerrshëm që u bëhet banorëve më të varfër të Shqipërisë me një taksë të re për të ardhur në kryeqytetin e tyre.
U bëj thirrje ngrihuni, mos pranoni poshtërimin, mos pranoni ndëshkimin.
I jipni këtij pushtuesi atë që i keni dhënë çdo pushtuesi në kohëra.
Asgjë nuk mund të mposhtë kauzën e drejtë të qytetarëve të Krujës, kauzën e drejtë të qytetarëve të të gjitha qarqeve të veriut”, deklaroi Berisha.