Orët e vona të mbrëmjes e kanë gjetur Vlorën e bllokuar! Po kërkoheshin 2 persona, të shumëkërkuar nga Policia e Shtetit me urdhër të SPAK.
Emrat e personave që dyshohet se fshiheshin në një hotel luksoz në zonën e Ujit të Ftohtë ende nuk janë bërë me dije, por mendohet se kanë gisht në disa ngjarje kriminale.
Për “karrierën” e tyre të pasur kriminale, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka prerë urdhër-arreste, por edhe kësaj herë duket se i kanë shpëtuar uniformave blu.
Mediat kanë kontaktuar me një dëshmitar okular që kanë qenë pranë zonës teksa zhvillohej aksioni i Policisë në Vlorë.
“Ishte e gjithë zona e bllokuar, më shumë se 30 efektivë të forcave RENEA. Na thanë thjesht se po kërkonin një person dhe na kërkuan që të largoheshim nga perimetri i sigurisë,”-tha dëshmitari okular.
Ndërkohë që pamjet e aksionit kanë dalë dhe më shumë detaje janë mësuar me kalimin e orëve lidhur me atë që ka ndodhur, ende nuk dihet se cilët ishin dy personat për të cilët kishte informacione se fshiheshin në Vlorë. Megjithatë, edhe pse dje nuk ishin sukses, sot në qytetin bregdetar janë shtuar masat dhe patrullimet, pasi mendohet se personat që u kërkuan mbrëmë të jenë edhe sot në zonë. /zeri