U kapën me drogë dhe rreth 44 mijë euro cash në banesë gjatë një operacioni më 30 korrik 2022 në fshatin Kreshpan, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq edhe për pastrim parash dy të pandehur, babë dhe bir.
Lajmi konfirmohet nga institucioni i akuzës, që sqaroi se në kuadër edhe të hetimit pasuror të nisur ndaj të dyshuarve vitin e kaluar (përveç atij për drogën), janë evidentuar nga verifikimet financiare dhe kontabilitetit pasuri të tjera, që nuk justifikohen, konkretisht mbi 8,8 mln lekë dhe 6 makina.
Prokuroria bën me dije se përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasit Arshi Hoxhaj, 49 vjeç dhe Eltjon Hoxhaj, 26 vjeç, familjarë, për veprën penale “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, e parashikuar kjo në Nenin 287 të Kodit Penal. Nën akuzë për drogën është edhe djali tjetër i familjes, që i shpëtoi operacionit të parë.
Procedimi penal ndaj tyre, me numrin 776 të vitit 2023, nisi pas operacionit policor dhe provave të gjetura në kontrolle fizike, për vepra penale në fushën e narkotikëve. Gjatë aksonit u sekuestruan 40800 Euro dhe 3000 USD, si dhe 8 kilogramë drogë (kanabis), armë e bimë narkotike të kultivuara.
“Të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë fshehur ose kryer mbulimin e natyrës së vërtetë dhe burimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, sqarohet në njoftim.
Dhe sipas procedurave të kryera në vijim prej një viti, kryesisht ekonomik dhe juridik ndaj tyre dhe personave të tjerë të lidhur me ta (familjarë), janë zbuluar pasuri të tjera të pajustifikuara.
Dhe “pas kryerjes së verifikimeve dhe ekspertimit kontabël të tyre, ka rezultuar se ato nuk kanë burime të ligjshme për krijimin e pasurisë në zotërim apo posedim të tyre”.
Prokuroria konfirmon gjithashtu se “pasuria gjendje e tyre dhe e familjareve rezulton të jetë 6 automjete dhe shuma e parave cash në vlerën totale prej 8.778.866 lekësh, të cilat nuk justifikohen nga burime të ligjshme të ardhurash”.