Arrestuar më herët dhe përjashtuar nga tenderët për mashtrim , Nadir Çausholli kalon në agroturizëm
Agjencia e Prokurimeve Publike vendosi të ndalojë pjesëmarrjen në tenderë të kompanisë CFO Pharma të Nadir Çaushollit me argumentin se kishte dhënë informacione të pasakta ndaj institucioneve kontraktuese gjatë dy tenderëve.
“CFO Pharma”, në pronësi të Nadir Çaushollit, nuk e ka për herë të parë që përfshihet në penalitete.
Disa vite më parë, Çausholli u arrestua, si një prej personave të dyshuar për përfshirje në skemë mashtruese me ilaçet e rimbursueshme. Pasi mbylli ato probleme me vendime të dyshimta gjyqësore, pronari i “CFO Pharma” u rikthye sërish në treg.
Pavarësisht pasaportës së dyshimtë tregtare, të dhënat publike dëshmojnë se “CFO Pharma” ka fituar më së paku rreth 29 milionë euro nga tenderat publikë gjatë periudhës 2019-2024.
Ndërkohë që është përjashtuar nga tenderët Nadir Çausholli duket se ka vendosur që të merret me gjëra të tjera gjatë kësaj periudhe duke kthyer sytë nga bujqësia.
KKT miratoi një ditë më parë një leje zhvillimore në autostradën “Tiranë-Elbasan” me zhvillues kompaninë CFO Pharma të Nadir Çaushollit. Aty, biznesmeni kontravers do të zhvilloje agroturizëm sipas qeverisë.
Shkeljet
Përjashtimi nga tenderët dhe shkeljet e kësaj natyre duke mashtruar autoritetet duket se janë bërë rrugë për biznesmenin në fjalë. Në vitin 2015 ai u arrestua bashkë me 12 persona të tjera pas një hetimi të madh të Prokurorisë së Tiranës për mashtrim në vlera kolosale me rimbursimin e ilaçeve. Në atë kohë, ai administronte kompaninë Omega Pharma dhe u arrestua duke bërë disa muaj paraburgim.
Ai doli nga qelia duke i ndryshuar emrin kompanisë nga Omega Pharma në CFO Pharma por duket se ka vijuar me të njëjtat praktika. Vendimi i fundit i APP për ta përjashtuar nga tenderët pasi CFO Pharma mashtroi me të dhënat.
APP thotë se ka nisur hetimin administrativ, bazuar në informacionin e përcjellë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
Operatori “CFO Pharma” ishte gjobitur nga Inspektorati i Punës për shkelje të rënda, në vlerën 200 mijë lekë të reja. Këtë fakt, kompania e Çaushollit e ka fshehur gjatë pjesëmarrjes në dy tendera të zhvilluara nga Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” në Vlorë dhe nga Drejtoria e Shërbimit Spitalor, Has.
Sipas APP-së, kompania e Çaushollit e ka fshehur penalitetin, me qëllim keqinformimin e autoriteteve tenderuese. Ligji për Prokurimit Publik parashikon që kompanitë e gjobitura për shkelje të ligjit të punësimit përjashtohen nga tenderat publikë.
Por, siç rezulton në procedurën e zhvilluar nga APP, Çausholli dhe kompania e tij kanë fshehur këtë fakt, duke u shpallur fitues në dy procedurat e mësipërme, në kundërshtim flagrant me ligjin.
Kjo shkelje procedurash i kushton rëndë shoqërisë “CFO Pharma”, e cila tashmë do të duhet të qëndrojë plot 6 muaj si “spektator” në tenderat publikë. /Korrieri