Vdekja e një 38-vjeçari në Ksamil ka lënë pas pikëpyetje të mëdha. Ndërkohë që Policia e Sarandës ka dalë në përfundime se i riu është mbytur aksidentalisht si pasojë e një arresti kardiak, teksa notonte tek shkëmbinjtë tek “Gjiri i Barxhos”, dëshmitarët flasin për një tjetër anë të ngjarjes.
Në JOQ Albania janë postuar dy denoncime të dy qytetarëve të ndryshëm, të cilët shprehen se 38-vjeçari është përplasur një person që lundronte me JetSki dhe se pasi e ka përplasur për vdekje 38-vjeçarin, është larguar nga vendngjarja.
VENDI KU U GJET I MBYTUR 38-VJEÇARI
Duke pasur parasysh denoncimet, zeri kontaktoi zyrën e shtypit të Policisë së Shtetit, për të marrë një përgjigje zyrtare. Nga ana e auoriteteve u ridërgua njoftimi zyrtar, nuk u mohua asnjë version, por u tha se do të kryhet ekspertiza dhe se në vijim do të jepte një njoftim i plotë mbi ngjarjen.
“Patjetër që do bëhet ekspertiza. Pa asnjë diskutim. Në përfundim do të ketë njoftim të plotë,”- tha Policia e Shtetit.
VENDI KU U GJET I MBYTUR 38-VJEÇARI
Njoftimi zyrtar për ngjarjen:
Sarandë/Informacion paraprak: Sot, më datë 04.08.2024, tek shkëmbinjtë tek “Gjiri i Barxhos”, në Ksamil, në një masiv shkëmbor në det, është gjetur i pajetë shtetasi F. K., rreth 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është mbytur aksidentalisht si pasojë e një arresti kardiak. Nga informacionet paraprake dyshohet se ai kishte dalë për lundrim me një mjet kanoe dhe ka qenë duke bërë zhytje në këtë zonë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.