Zemra është një organ muskulor që peshon rreth 300 gramë, punon ditë e natë pa pushim, një fakt që e neglizhojmë dhe paraqitemi tek kardiologu vetëm kur kemi probleme serioze.
Unë do të kryej vizitën e radhës me kardiologun Elton Qeli.
“Në pak minuta dhe e kryem kontrollin e zemrës. Mesazhi im për qytetarët është që vizitat tek kardiologu duhen kryer periodikisht, një herë në 6 muaj deri në 1 vit, dhe jo vetëm kur kanë shqetësime.
Kemi vënë re kohët e fundit që edhe moshat e reja, që do të thotë nga 25, 35 e 40 vjeçare, preken nga sëmundjet kardiovaskulare, preken nga infarkti i miokardit, shfaqin luhatje të tensionit arterial, dhe çrregullime të ritmit të zemrës.
Sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë shkakun numër 1 të vdekshmërisë në botë. Faktorët e rrezikut që ndikojnë në sëmundjet kardiovaskulare janë të shumtë, por më I rrezikshmi është stresi psiko-social, që luan rol të rëndësishëm në manifestimin jo vetëm të sëmundjeve kardiovaskulare, por në përgjithësi të sëmundshmërisë në shëndetin e popullatës. Pastaj përveç stresit patjetër që janë edhe faktorët klasikë siç është diabeti mellitus që po shfaqet gjithmonë e më shumë edhe në moshat e reja dhe me një prevalencë më të lartë. Është hipertensioni arterial, konsumimi I duhanit, jeta sedentare, pra pa aktivitet fizik, është mënyra e ushqyerjes që edhe kjo ka rëndësi shumë të madhe në prekshmërinë kardiovaskulare,
Simptomat mund të jenë që nga dhimbja e gjoksit, vështirësi në frymëmarrje, çrregullime të ritmit të zemrës, ndonjëherë gjendje të fikëti, këputje, lodhje, djersitje e shtuar. Unë kam këtë mesazh për qytetarët që kontrolli period i shëndetit të zemrës është një faktor shumë I rëndësishëm që ndikon në diagnostikimin më të hershëm në popullatë dhe rrjedhimisht në trajtimin e duhur, në kohë”, tha Elton Qeli, kardiolog në Poliklinikën Nr. 3, Tiranë.