Kush janë Hajdar ( Dar ) dhe Franc Çopja , nga përplasja me “Tarzanin” për 50 kg kokainë në Angli, vrasjet dhe grabitja e Rinasit
SPAK ka dhënë detajet lidhur me 33 urdhërarrestet e lëshuara për zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale në vend ndër vite. SPAK bën të ditur se objekt i hetimit ishte veprimtaria kriminale e një organizate që e kishte bazën në Elbasan dhe drejtohej nga vëllezërit Florenc dhe Hajdar Çopja.
Hetimet kanë provuar se kjo organizatë kriminale dallohet për shkallën e veçantë të strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes së saj, qëllimit për kryerjen e disa vepra penale dhe fuqisë së saj financiare.
Dyshohet se veprimtaria kriminale e dy vëllezërve, daton rreth viteve 2006–2007, ku fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërndarë në sasi të vogla kokainë. Me kalimin e viteve ata u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, ku nga Italia e shtrinë/zgjeruan aktivitetin e tyre kriminal edhe në vende të tjera të Evropës dhe më gjerë.
Gjithashtu, me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik dhe si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi pasi ata krijuan kontakte të cilat ju dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve.
Për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve (nëpërmjet vrasjeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë.
Humbja e 50 kg kokainë në Angli
Përplasja e parë ka nisur në Mbretërinë e Bashkuar, pas humbjes së 50 kilogramëve kokainë nga Endrit Alibej që njihej ndryshe dhe si “Tarzani”. Pasi ky i fundit nuk u përgjigj për 50 kilogramët e kokainës, që në treg mund të kapë vlerën e 500 mijë eurove, nisi përgatitja e atentatit ndaj tij.
Masakra e Bradasheshit
Dhe më 29 dhjetor të vitit 2018, në Bradashesh u qëlluan për vdekje tre persona, mes tyre edhe Endrit Alibej. Përveç 34-vjeçarit, në këtë atentat humbën jetën edhe Arben Dylgjeri, daja i ‘Tarzanit’ dhe shtetasi turk Erdal Duranay. Të tre, sapo ishin kthyer nga Belgjika për të festuar ardhjen e vitit të Ri 2019, por nuk e arritën atë ditë. Vetëm tre ditë para festive të fundvitit, plumbat e kallashnikovit ranë mbi ta dhe në sy të grave e fëmijëve, ndërruan jetë, pa mundur as të shkonin në spital.
Vrasja e Endrit Alibej (eksponent i njohur në trafikimin e kokainës) u pasua me urdhërimin dhe të vrasjeve të disa personave të afërm të shtetasit Endrit Alibej.
Një vit më vonë, po në muajin dhjetor, në vitin 2019, u ekzekutua një tjetër ‘rob’ i ‘Tarzanit’. Këtë herë ishte djali i hallës së Endrit Alibejt, Andi Zylyfi kishte pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi. Edhe pse pa precedentë penalë, Zylyfi u vra në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin, teksa ndodhej në makinë me Ardit Uruçin, mikun e tij që fatmirësisht i shpëtoi këtij atentati.
Sapo kaluan shtatë muaj, erdhi një tjetër viktimë. Mesnatën e 1 korrikut, Klevi dhe Aldo Baho, i njohur si “Sakati”, vëllezër u qëlluan me breshëri plumbash dhe njëri prej tyre vdiq. Klevi mbeti i vrarë, ndërsa Aldo u plagos rëndë, por sot jeton.
Një ditë pas këtij atentati, RENEA zbarkoi në Elbasan ku dhe pas një karburanti në emër të biznesmenit Ilir Beko gjeti një arsenal me armë të sofistikuara. Pjesa më e madhe e armëve ishin moderne dhe që i përkisnin prodhimit francez dhe belg, armë këto që përdoren nga ushtritë e vendeve të NATO, 7 kallashnikovë dhe një armë gjahu çifte, snajpera modern dhe 5 pistoleta me silenciator.
Pikërisht në këtë karburant, ku u gjet dhe depoja e armëve, qëndronin herë pas here edhe anëtarë të këtij grupi kriminal të Çopjave.
Ngjarjet në Peqin, sikur ranë në qetësi, ndoshta mungesa e armatimit, ndoshta fakti që grupi e kishte marrë tashmë çmimin e kokainës së humbur…
Grabitja e Rinasit
Por, më 9 prill të vitit 2019, dora e tyre erdhi do të vinte sërish në skenë. Këtë here ndodhi grabitja në Aeroportin e Rinasit, ku u morën plot 10 milion euro dhe në përplasje me autoritetet mbeti i vrarë Admir Murataj.
Në këtë grabitje bashkëpunuan Talo Çela dhe Nuredin Dumani, por këto para përçanë dhe miqtë e ngushtë.
Të dy thurën planin e atentatit për të vrarë dy vëllezërit Haxhia, Viktor dhe Besmir, të cilët u ekzekutuan brenda makinës së tyre, shumë pranë biznesit të tyre në Shën Vlash të Durrësit. Në pranga si ekzekutor është vënë Altin Ndoci dhe Klevis Alla dhe ky i fundit zbërtheu të gjithë vrasjen, madje edhe tregoi vendin ku kishin fshehur armët e krimit.
Lidhja me grupin e Çopjave në këtë vrasje u bë kur edhe vetë Ndoci pranoi gjithçka.
“Vrasja ka ndodhur për paratë e grabitura në Rinas, Talo Çela dhe Nuredin Dumani kanë organizuar gjithçka. Një pjesë e parave të grabitura në Rinas, u ishin lënë vëllezërve Haxhia. Çela shkoi t’ua kërkonte më pas, por ata u justifikuan dhe thanë se ua kishin grabitur në momentin që iu grabit edhe servisi. Më pas i vranë”, u shpreh Ndoci kur u ‘zbërthye’.
Edhe rrëfimi i Klevis Allës, një prej autorëve që mori pjesë në ekzekutimin e dy vëllezërve Haxhia dhe në vrasjen e Dorjan Shkozës e Anxhelo Avdisë hapi dosjet e pazbardhura, për ngjarjet kriminale dhe atentatet e kryera në Elbasan. Në dosje, shkruhen mjaft qartë emrat e bashkëpunëtorëve të Allës dhe Ndocit, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Talo Çelën, por dhe për urdhërat e Çopjave. Të tjerët ishin thjesht pjesë e skuadrës së qitësve me pagesë dhe vepronin sapo merrnin urdhrin.
Pastrimi i parave
Në lidhje me pastrimin e parave, nga të dhënat e siguruara nga organi i akuzës, rezulton se kjo organizatë kriminale ka investuar në Shqipëri një pjesë të të ardhurave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës, kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme (nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Nga kryerja e hetimeve intensive janë përftuar të dhëna me interes në lidhje me pasuritë, investimet dhe pasuritë e dy vëllezërve në Shqipëri, format e përdoruara prej tyre si dhe personat e përfshirë në procesin e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale.
Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit.
Rezulton se, organizata kriminale ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal.
Gjithashtu, evidentohet se Florenc Çapja në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar me qëllim, ndërmjet të tjerave edhe kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj.