Daniel Shima, prej muajsh nuk është më zv.drejtues i AKSHI, (Agjencia Kombëtare Shtetërore e Informacionit), institucion i vënë nën hetim nga SPAK, ku në verifikim janë një sërë tenderash që janë dhënë nga kjo Agjenci.
Burime i thanë se Shima është larguar nga AKSHI, edhe pse kjo lëvizje nuk është raportuar në media.
Informacioni për lëvizjen e tij është ruajtur me hermetizëm edhe pse Shima ka qenë një nga titullarët kryesorë të AKSHI, në kohën kur janë dhënë tenderat që po hetohen tashmë nga SPAK.
Por përtej kostumit të zyrtarit, Shima përgjatë viteve të fundit është investuar në një sërë biznesesh në kryeqytet, që nga “lounge” e deri te studiot e projektimit dhe tekstileve.
Ai është i njëjti personazh, për të cilin, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj tha dje se është kërcënuar.
Arsyet e kërcënimit Ahmetaj nuk i dha, por la të kuptohej se lidhen me hetimin për tenderat e AKSHI.
Kompania të cilës, iu referua Ahmetaj është “Advanced Business Solutions” dhe është akuzuar më herët për marrjen e tenderave të dyshimtë nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Tashmë çështja po hetohet nga SPAK dhe të tjerë emra dita ditës po dalin në dritë. Por interesant mbetet fakti se edhe pse numri i dytë në AKSHI pas Mirlinda Karçanajt, Daniel Shima u largua nga detyra, lajmi nuk gjeti pasqyrim në asnjë media në vend, ku po i njëjti personazh është akuzuar për dhënien e tenderave të AKSHI, e po ashtu një vit më parë u mor në mbrojtje nga Garda e Republikës pasi i kërcënohej jeta, zhvillim që sërish nuk u zbulua publikisht se çfarë realisht kishte ndodhur.