Personi që shihni në foton e mësipërme është 35-vjeçari Erdion Muho, i cili u arrestua nga policia këtë të hënë në lidhje me shpërthimin e ndodhur më 25 qershor në Sarandë, ku ndërroi jetë biznesmeni Armand Nelaj.
Pas hetimeve të autoriteteve u zbulua se Nelaj së bashku me 35-vjeçarin kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence.
Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, duke bërë që biznemeni 52-vjeçar të ndërronte jetë.
Erdian Muho është djali i një biznesmeni tjetër të njohur në qytetin e Sarandës. Ai merret kryesisht me biznese në fushën e hotelerisë, turizmit dhe transportit detar dhe konkretisht është pronar i “Erdano Tours”, i cili operon në linjën Sarandë-Korfuz me anijen Saranda Express.
Po ashtu, Muho ka kandiduar si deputet në zgjedhjet e 2021 me partinë e Jozefina Topallit, ‘Lëvizja për Ndryshim’.
Muho mbante numrin 2 në listën e kandidatëve për Sarandën, por Topalli në zgjedhjet parlamentare të 2021 nuk fitoi as një mandat dhe u dorëhoq nga drejtimi i kësaj force politike.
Nuk dihen ende nëse Muho ka qenë afër 52-vjeçarit në momentin e shpërthimit dhe si ai ka mundur t’i shpëtojë fuqisë goditëse të lëndës plasëse.